Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti pati bisedë telefonike me Gabriel Eskobar – Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor

19 Nëntor, 2021

 

Prishtinë, 19 nëntor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka biseduar sot me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, z.Gabriel Eskobar.

Z. Eskobar shfaqi interesimin e tij për programin e qeverisë në shumë fusha me ç‘rast Kryeministri e njoftoi z.Eskobar me progresin e shënuar në menaxhimin e mirë të pandemisë dhe vaksinimin e suksesshëm të popullsisë. Po ashtu e njoftoi për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi si dhe për stabilitetin institucional e legjitimitetin demokratik.

Z. Eskobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e ShBA-ve që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim.

Kryeministri e falënderoi z. Eskobar për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe e siguroi për përkushtimin e Kosovës për dialog parimor, ku në qendër është njohja e ndërsjellë. Kryeministri po ashtu theksoi rëndësinë që në Serbi, por edhe në rajon, të ketë ballafaqim me të kaluarën si dhe balancë e simetri në trajtimin e pakicave.

Në mbyllje të bisedës, duke theksuar se pret që së shpejti të vizitojë Kosovën, z.Eskobar shprehu urimet më të mira për Kryeministrin dhe popullin e Kosovës. Kryeministri falënderoi z. Eskobar për rolin dhe angazhimin e tij në Kosovë dhe rajon duke i uruar sukses në punën e tij dhe duke i ofruar bashkëpunimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Last modified: 19 Nëntor, 2021

Comments are closed.

×