Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Evropës: Kosova kultivon vlera të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit

29 Mars, 2023

 

Prishtinë, 29 mars 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në lansimin e projektit të Këshillimi të Evropës për “Përafrimin e ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, për të cilin tha se është një hap i madh drejt barazisë. Në këtë ngjarje, e pranishme dhe pjesëmarrëse ishte dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ky projekt ka për qëllim përafrimin e mëtejmë të ligjeve dhe të politikave tona, e kjo pikërisht me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, një institucion, tek i cili aspirojmë që të anëtarësohemi, sepse besojmë dhe kultivojmë vlerat e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se secila përpjekje për barazi, hapë shtigje për emancipim dhe solidaritet. Një hap i madh drejt barazisë, është edhe ky traktat që na ka mbledhur sot, e që njihet ndryshe si Konventa e Stambollit. Qeveria ka marrë përsipër obligimet që parasheh kjo konventë.

“Po angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat e masat që kërkohen nga ne dhe ky angazhim yni mbështetet në një synim të thjeshtë: Që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës e që çdo vajzë të rritet duke u ndjerë e sigurt”, theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se si përgjigje ndaj dhunës, institucionet tona e kanë përmirësuar dukshëm kornizën ligjore me ndryshimet e fundit të ‘përqafimit’ të Konventës së Stambollit.

Ai shtoi se Korniza ligjore, krahas avancimit, duhet shoqëruar me politika të duhura publike, rritje të cilësisë së shërbimeve publike, pavarësi ekonomike, e financim të qëndrueshëm, andaj me qëllim të pavarësimit dhe fuqizimit ekonomik të grave, në këto dy vite të qeverisjes, janë ndërmarrë hapa konkret për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave.

Kryeministri Kurti tha se me përkushtim institucional e shoqëror, do të punojnë për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, këtë fenomen shoqëror që pamundëson barazinë, sepse nuk mund të ketë barazi shoqërore, pa pasur edhe barazi gjinore.

“Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë. Dhunën në familje e dhunën në bazë gjinore, duhet ta luftojmë në mënyrë efikase të gjithë, gjatë gjithë kohës, e çdo kund. Do të jemi krah për krah, drejt barazisë gjinore, që është pra parakusht për një shoqëri të barabartë”, tha kryeministrit Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit:

I nderuari z.Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës,
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë,
E nderuara znj. Claudia Luciani, Drejtoreshë e Drejtorisë së Këshillit të Evropës për Dinjitet Njerëzor, Barazi dhe Qeverisje,
E nderuara znj.Drita Rexhaj, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës,
Shkëlqesia juaj Shpresa Jusufi, Ambasadore e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë,
Zëvendësministra e deputetë të Kuvendit,
Drejtues e përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare,
Të nderuara aktiviste, mbrojtëse të të drejtave të grave,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë të ju drejtohem sot në lansimin e këtij projekti, i cili ka për qëllim përafrimin e mëtejmë të ligjeve dhe të politikave tona, e kjo pikërisht me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, një institucion, tek i cili aspirojmë që të anëtarësohemi, sepse besojmë dhe kultivojmë vlerat e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Takime e diskutime të këtilla, ku kryefjala është lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në vete paraqesin përpjekje për barazi. Secila përpjekje për barazi, hap shtigje për emancipim dhe solidaritet. Emancipimi dhe solidariteti gjinor na shpijnë drejt një shoqërie më të drejtë e më të barabartë.

Një hap i madh drejt barazisë, është edhe ky traktat që na ka mbledhur sot, e që njihet ndryshe si Konventa e Stambollit. Në majin e sivjetmë, bëhen 12 vite nga Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila në shtator të vitit 2020 është bërë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ne, si Qeveri, kemi marrë përsipër obligimet që parasheh Konventa e Stambolli. Po angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat e masat që kërkohen nga ne dhe ky angazhim yni mbështetet në një synim të thjeshtë: Që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës e që çdo vajzë të rritet duke u ndjerë e sigurt.

Obligimet nga konventa, janë edhe thirrje për bashkëpunim më të thelluar mes nesh, me qasje ndër-sektoriale, për parandalim të dhunës, mbrojtje nga dhuna, ndjekje penale të autorëve dhe politika të integruara. Për një zinxhir institucional të fuqizuar, që funksionon me këtë renditje: përgjigje institucionale në parandalim, mbrojtje dhe trajtim të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, vënie të drejtësisë së munguar, shërbime të shpejta dhe cilësore, si dhe llogaridhënie institucionale.

Si përgjigje ndaj dhunës, institucionet tona e kanë përmirësuar dukshëm kornizën ligjore me ndryshimet e fundit të ‘përqafimit’ të Konventës së Stambollit.

Në këtë drejtim e kemi miratuar Strategjinë nacionale kundër dhunës në familje. Kjo strategji ka për synim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e dhunës, harmonizimin e politikave publike me standardet ndërkombëtare, fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional për mbrojtje dhe trajtim të viktimave, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e qëndrueshëm të të mbijetuarave të dhunës.

Pastaj, kemi mundësuar ndihmë juridike falas për të mbijetuarat e dhunës në familje, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike të tyre. Tashmë, secila grua viktimë e dhunës në familje e ka mundësinë që si kategori e veçantë të përfitojë ndihmë juridike falas, pa iu dashur të dëshmojë pamundësinë financiare apo mungesën e pasurisë.

Kemi vazhduar mbështetjen për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Kemi zgjatur procesin e aplikimit dhe mandatin e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës;
Kemi lehtësuar kompensimin e viktimave të krimit;
Kemi miratuar për herë të parë protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale;
Kemi miratuar kurrikula për trajtimin e dhunuesve; ndërkaq
Këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret që strehojnë viktimat e dhunës.
Gjithashtu, kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal.

Në kuadër të Agjendës Legjislative e kemi projektligjin për shërbimet sociale, që parasheh reformë të thellë të Qendrave për Punë Sociale, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për viktimat e dhunës në familje.

Ndonëse janë 38 Qendra për Punë Sociale anë e mbanë Kosovës në të gjitha komunat e saj dhe ato ofrojnë më shumë se 70 shërbime për qytetarët, në të kaluarën nuk u është dhënë atyre vëmendja e duhur. Për këtë, Grupi punues tashmë po bën një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra, në raport me përgjegjësitë, sfidat, por edhe kapacitetet njerëzore e profesionale.

Korniza ligjore, krahas avancimit, duhet shoqëruar me politika të duhura publike, rritje të cilësisë së shërbimeve publike, pavarësi ekonomike, e financim të qëndrueshëm. Duhet të adresohen nevojat e grave me gjithë shumëllojshmërinë e situatave të tyre në shoqëri.

Andaj, me qëllim të pavarësimit dhe fuqizimit ekonomik të grave, në këto dy vite të qeverisjes, kemi ndërmarrë hapa konkret për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave:

– Në vitin 2022 mbi 5 mijë gra janë punësuar përmes masës 1.3 të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
– Mbi 337 mijë fëmijë marrin shtesa çdo muaj dhe mjetet dalin në llogari të nënës. Si rezultat i pranimit të shtesave për fëmijë, janë 89,241 gra që për herë të parë kanë hapur llogari bankare në vendin tonë.
– Përmes masës “Qeveria për Familjen” janë punësuar 603 gra, që me pagën e tyre janë burim i vetëm i të ardhurave për familjet e tyre.
– Përmes praktikës në punë apo platformës Superpuna, nga mosha 18 deri në moshën 25 vjeç, janë punësuar 1,401 vajza.
– Kemi mbështetur 44 biznese të grave pronare në zgjerimin e bizneseve të tyre.

Me thirrjen publike të Ministrisë së Ekonomisë për subvencionim të efiçiencës së energjisë, kemi mbështetur 45 nëna vetushqyese, e 468 gra, që mbështeten nga skema sociale kanë përfituar stufa individuale me biomasë.

Përmes udhëzimit për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, 4375 çifte kanë regjistruar pronën ne emër të dy bashkëshortëve. Këtë masë do ta vazhdojmë si masë afirmative. Pasi diskriminimi në bazë gjinore vazhdon t’i privojë gratë dhe vajzat nga e drejta e tyre në pronë dhe në trashëgimi.

Për të ndihmuar arsimimin e vajzave, për të mbyllur hendekun gjinor në profesione, kemi ndarë bursa për 1382 vajza. Për këtë vit akademik kemi dyfishuar buxhetin, duke ndarë 2 milionë euro për 2000 bursa, pra gra e vajza.

Mungesa në drejtësi dhe barazi, i nxit normat sfiduese dominante e patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i institucioneve në rolin e tyre si mbrojtës, e ashpërson këtë. Dhuna ndaj grave dhe vajzave dhe femicidi kanë qenë në nivel shumë shqetësues ndër vite. Po ashtu shqetësuese edhe neglizhenca e institucioneve për të ofruar urdhër-mbrojtje, për të ofruar siguri e drejtësi për shumë gra dhe vajza.

Andaj, na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje, ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm. Me institucione të drejtësisë, që sjellin drejtësi, dhe barazi, e cila sjell më shumë mirëqenie.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Dua t’i falënderoj e t’iu shprehë mirënjohje të thellë të gjithë atyre që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe vajzat.
I falënderoj organizatat partnere për mbështetjen ndaj institucioneve tona, me synimin e zbatimit të obligimeve të dala nga Konventa e Stambollit.

Me përkushtim institucional e shoqëror, do të punojmë për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, këtë fenomen shoqëror që na pamundëson barazinë, sepse nuk mund të kemi barazi shoqërore, pa pasur edhe barazi gjinore.

Krahas përgjegjësisë profesionale në institucionet tona, duhet rritur përpjekjet e veprimet e përbashkëta për t’i adresuar pengesat drejt barazisë, nëpërmjet, natyrisht, eliminimit të tyre. Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë. Dhunën në familje e dhunën në bazë gjinore, duhet ta luftojmë në mënyrë efikase të gjithë, gjatë gjithë kohës, e çdo kund.

Do të jemi krah për krah, drejt barazisë gjinore, që është pra parakusht për një shoqëri të barabartë.

Ju faleminderit për ftesën dhe për gjithë punën e kontributin që keni bërë, po bëni, e që do të bëjmë së bashku në vijim.

 

Last modified: 29 Mars, 2023

Comments are closed.

×