Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Lybeniq: Jemi shtet që nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia

1 Prill, 2024

Lybeniq, 1 prill 2024

Në 25-vjetorin e masakrës së Lybeniqit të Pejës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin përkujtimor për të vrarët në këtë masakër të kryer nga pjesëtarët serbë të njësitit “Çakejt” bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale të Serbisë.

E dokumentuar qysh më 1999 nga Human Rights Watch, Kryeministri Kurti, u shpreh se masakra e Lybeniqit ka dëshmi dhe dëshmitarë, pjesë e të cilëve janë vet të mbijetuarit e masakrës, banorët e Lybeniqit dhe të fshatrave përreth, që kanë parë e përjetuar skenarin e krimit të ushtarëve serbë të cilët ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, dhe i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty.

“Xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur, me qëllim që askush, prej të gjithë atyre burrave të mos shpëtonte i gjallë. Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha”, shtoi kryeministri Kurti.

“Lybeniqi i Pejës ishte shënjestruar nga regjimi kriminal i Beogradit dhe ishte përfshirë në gjeografinë e krimeve të luftës shumë herët, që më 25 maj të vitit 1998, kur policë të Serbisë i vranë nëntë burra”, tha kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij. Ai përkujtoi edhe 7 prillin e vitit 1999 kur në bjeshkët e Lybeniqit ushtarë serbë vranë dhjetë anëtarë nga familjet Alimehaj, Ukshinaj dhe Bobi. Në mesin e tyre ishin dy fëmijë, dy dhe pesë vjeç, dhe një grua shtatzënë.

Kryeministri Kurti theksoi avancimin e kornizës ligjore për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës për të mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Po ashtu përmendi ndarjen e mjeteve për fuqizimin e Prokurorisë Speciale dhe ngritjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues në kuadër të Policisë së Kosovës. Ndërkaq, për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, për të cilin tashmë janë hapur 25 pozita të ekspertëve dhe zyrtarëve.

Më tej, duke ritheksuar se jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, kryeministri Kurti u zotua që në këtë rrugë do të shkojmë deri në fund sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi shqiptarët e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar ministra Elbert Krasniqi dhe Hajrulla Çeku,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Të dashur banorë të Lybeniqit,
I nderuari Nezir Jahmurataj, kryetar i fshatit Lybeniq,
Të nderuar veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidë të luftës, familjarë të dëshmorëve e të martirëve,
Të dashura motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,

Sivjet po mbushen 25 vite nga lufta e vitit 1999, pra një çerekshekulli liri. Ja ku jemi bashkë këtu në Lybeniq, 25 vite nga 1 prilli i vitit 1999, kur forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë, e kryen masakrën e Lybeniqit, me ç ‘rast ekzekutuan 59 burra.

Atë ditë, në 07:00 të mëngjesit, pjesëtarë të njësitit “Çakejt”, që ishin pjesë e njësitit “177” në Pejë të ushtrisë jugosllave, bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale, u futën këtu në Lybeniq. Brenda pak minutash, u dëbuat nga shtëpitë tuaja dhe ju mblodhën pothuajse të gjithë banorët e Lybeniqit në mes të fshatit, afër xhamisë. Sipas skenarit të krimit, ushtarët serbë i ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty.

Xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur, me qëllim që askush, prej të gjithë atyre burrave të mos shpëtonte i gjallë. Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha.

E dokumentuar qysh më 1999 nga Human Rights Watch, Maskara e Lybeniqit ka dëshmi dhe dëshmitarë. Në radhë të parë, janë vet të mbijetuarit e masakrës, jeni ju banorët e Lybeniqit dhe të fshatrave përreth, që e keni parë dhe e keni përjetuar atë.

Proceset gjyqësore të zhvilluara ndaj pjesëtarëve të njësitit “Çakejt” në Serbi, janë përshkuar me kufizime dhe rikthime nga njëra shkallë gjyqësore në tjetrën. Kjo tregon strategjinë e shtetit serb për t’i mjegulluar ato raste, për të pasur procese sa për sy e faqe, teksa vazhdon t’i strehojë dhe mbrojë kriminelët e shumtë të luftës.

Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, ne kemi zhvilluar bazën ligjore, e cila kishte munguar për shumë kohë dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të këtyre. Kemi ndarë mjete për fuqizimin e Prokurorisë Speciale, përkatësisht për 4 prokurorë, 6 bashkëpunëtorë special e staf mbështetës, e pozita të reja edhe në përgjithësi në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Prokurorët kanë kushte të mira të punës dhe gëzojnë paga të larta.

Kemi mungesë të proceseve gjyqësore dhe mospërputhje të të dhënave. Andaj, kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Madje që në vitin 2019. E gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët serbë të luftës të përballen me drejtësi, sepse këto krime veçse nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë. E për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, për të cilin tashmë janë hapur 25 pozita të ekspertëve dhe zyrtarëve të tjerë që do të punojnë.

Andaj, tani kemi një adresë për të dërguar të gjitha dëshmitë dhe unë shpresoj të deponohen sa më shumë dëshmi për krimet e kryera kudo në Kosovë. Ndërkaq, sistemit tonë të drejtësisë, nga këtu i bëj thirrje edhe njëherë për adresim më urgjencë të rasteve të krimeve të kryera gjatë luftës, sepse këto krime njëmend asnjëherë nuk janë vjetruar, por dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar.

Në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektor në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda, me 19 zyrtarë. Me strukturën e re të miratuar tashmë në Policinë e vendit tonë, e kemi ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues, pra më shumë se 100 për qind rritje e numrit të hetuesve. Sepse, ka tepër shumë krime e jo mjaftueshëm hetues për të gjitha ato. Lidhur me rastin e Masakrës së Lybeniqit, hetuesit e Policisë kanë dorëzuar te Prokuroria Speciale draftin e kallëzimit penal në dhjetor të vitit të kaluar.

Të dashur banorë të Lybeniqit,

Mëngjesin e 1 prillit 1999, ditën kur u krye masakra në Lybeniq, një ushtar serb i pyeti viktimat e tij: “Kush i djegu shtëpitë në afërsi?”; dhe kur Adem Haradinaj, 67 vjeçar, iu përgjigj se shtëpitë ishin djegur nga policia, ushtari e mori Ademin dhe e vrau me armë automatike. Pas kësaj, një burrë 47 vjeçar, Ukë Bushati, i cili guxoi t’i reagonte ushtarit duke i thënë “E vrave njeriun pa e lanë as me e kry fjalinë e tij”, u qëllua nga po ai ushtar, i cili ia ktheu: “Kush je ti që m’thua mua kush jam unë për të vrarë?”.
Edhe 25 vite më pas, përgjigja është e njëjtë. Jemi ne populli dhe shteti i Kosovës: dëshmitarë, viktima, të mbijetuar dhe trashëgimtarë të asaj historie të errët të viteve të ’90-ta, kur Serbia kreu spastrim etnik ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë, kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid!

Ne jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Jemi një popull i gatshëm për të dëshmuar, jemi Republika që dita ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, për t’i adresuar krimet e luftës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë. Ne jemi të vendosur që në këtë rrugë të shkojmë deri në fund, sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi neve, shqiptarët e Kosovës.

Ashtu siç vepruan në Lybeniq, edhe më 7 prill 1999 ushtarë të Serbisë në bjeshkët e Lybeniqit te “Stani i kërrshit”, i vranë edhe 10 anëtarë nga familjet Alimehaj, Ukshinaj dhe Bobi. Mes tyre edhe dy fëmijë, 2 dhe 5 vjeç dhe një grua shtatzënë. Lybeniqi i Pejës ishte shënjestruar nga regjimi kriminal i Beogradit dhe ishte përfshirë në gjeografinë e krimeve të luftës shumë herët, që më 25 maj të vitit 1998, kur policë të Serbisë i vranë nëntë burra.

Serbia vazhdon ta shmangë përgjegjësinë e saj si shtet për krimet në Kosovë. E Republika jonë demokratike, shteti ynë i pavarur, po përparon ndjeshëm në rrugën e saj të progresit shoqëror e ekonomik. Jemi republikë parlamentare, demokratike që respekton të drejtat e njeriut dhe synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne vazhdojmë të shohim përpara duke e nderuar të kaluarën tonë, duke mos harruar asnjëherë se prej nga vijmë dhe kush na e mundësoi që ne të jemi këtu, që ta jetojmë lirinë e ta gëzojmë shtetin. Andaj edhe sot këtu në Lybeniq, për t’i përkujtuar të dashurit tuaj, të dashurit tonë, jemi bashkë për t’u zotuar për adresimin e krimeve të luftës në adresat e kriminelëve të luftës, të përgjegjësve dhe urdhërdhënësve të tyre, para drejtësisë dhe para historisë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në masakrat në Lybeniq dhe lavdi për të gjithë të rënët, martirë e dëshmorë në rrugën që kemi kaluar deri tek liria jonë!

Faleminderit.

 

Last modified: 1 Prill, 2024

Comments are closed.

×