Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në ceremoninë nënshkrimit të zotimit për ekspertizë pro-bono të bursistëve të KAEF: E mirëpres kontributin tuaj për forcimin e qeverisjes në vendin tonë

29 Qershor, 2022

Prishtinë, 29 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të zotimit të bursistëve të Fondit Arsimor Kosovar-Amerikan KAEF për ofrimin pro bono të ekspertizës së tyre për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj.

Pasi përshëndeti të pranishmit, kryeministri Kurti tha se është shumë i lumtur që nënshkruan këtë zotim, i cili edhe e mirëpret kontributin e të gjithëve për forcimin e qeverisjes në vend tonë.

Kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë, që sot ishte në mesin e atyre njerëzve, që siç tha ai, i japin shpresë, që profesionistë si ata po shohin shumë e më shumë arsye për të vazhduar që të punojnë për këtë vend.

“Është e jashtëzakonshme që të gjithë ju që keni pasur fatin që të studioni në programe cilësore të arsimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tani jeni kthyer në shtëpi me ide e perspektivë të re, keni hapur dhe udhëhiqni biznese ose organizata të suksesshme dhe disa prej juve keni punuar ose jeni duke punuar drejtpërdrejt për Qeverinë”, tha kryeministri Kurti para të pranishmëve duke folur për programin e KAEF.

Kryeministri Kurti tha se nuk mund ta shprehë dot gjithë mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm dhe ekspertizën që ata ofrojnë për institucionet tona shtetërore.

“Saherë fillojmë të flasim për ekonominë, ne përfundojmë duke folur për edukimin dhe saherë që fillojmë të flasim për edukimin përfundojmë duke folur për ekonominë. Ndoshta ky është një indikator se e vetmja gjë që është më e rëndësishme se ekonomia dhe edukimi, është ndërlidhja mes të dyjave”, theksoi kryeministri, duke potencuar se pret që të punojnë së bashku dhe të jepet më e mira për vendin.

KAEF është një program arsimor prestigjioz që ofron bursa për studentët e nivelit master në universitetet kryesore të ShBA-së.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente Jahjaga
I nderuar Z. Sharapi
E nderuara Znj. Salahi,
I nderuar Z. Curtis,
E nderuara Znj. Zagragja
Të nderuar Z. Gashi dhe Znj. Gjikolli,
Të nderuar miq dhe partnerë,

Jam shumë i lumtur që nënshkruam këtë zotim dhe mirëpres kontributin e të gjithë juve – dhe atyre që nuk arritën dot këtu sonte – për të kontribuar në forcimin e qeverisjes së vendit tonë.

KAEF Alum mund të jetë thjesht një nga shembujt më të mirë në vendin tonë që tregon se si funksionon ‘Brain Gain’. Fatkeqësisht, ne kemi dëshmuar dhe vazhdojmë të dëshmojmë shumë të kundërtën, Brain Drain.

Shumë prej jush kanë kaluar shembullin e ‘J Curve’ në një kurs makroekonomie.
Po, ne po e ndryshojmë qeverisjen për mirë, por mund të duhet pak më shumë kohë derisa “J curve” për ‘brain-drain’ të fillojë të ndryshojë kursin për mirë dhe përfundimisht të bëhet një kthesë e fortë e ‘brain-gain’.

Ajo që ne kemi trashëguar si një qeveri e re fatkeqësisht ishte një shkallë e ulët e reformave në sektorin publik për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore në nivelet e menaxhimit, që përkthehet në planifikim, monitorim dhe vlerësim të dobët, si dhe në pamundësi për të prioritizuar sektorët. nëpër ministri, si dhe agjencitë dhe kompanitë publike.

Të kesh njerëzit dhe profesionistët e duhur në vendet e duhura është thelbësore, prandaj ne jemi shumë të interesuar si qeveri për të tërhequr profesionistë të talentuar, brenda apo jashtë vendit.

Dhe prandaj jam i gëzuar që jam sot këtu me ju.

Më jep shpresë që profesionistë si ju do të shohin gjithnjë e më shumë arsye për të vazhduar të jetojnë dhe punojnë në këtë vend.

Të gjithë ju keni pasur fatin e madh të studioni në programe arsimore cilësore në Shtetet e Bashkuara, dhe tani jeni kthyer në shtëpi me ide dhe perspektiva të reja, keni hapur dhe operuar biznese apo organizata të suksesshme, dhe pak prej jush gjithashtu keni punuar dhe aktualisht jeni duke punuar drejtpërdrejt për Qeverinë. Kjo është e jashtëzakonshme.

Në fakt, siç e dini të gjithë, dy nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë që punojnë me mua në kabinetin tim janë KAEF Alumni: Shefi im i Stafit, Luan Dalipi dhe Këshilltari im për Teknologjinë e Informacionit, Lulëzon Jagxhiu. Të dy janë këtu me mua sonte dhe ata janë një shembull se si profesionalizmi cilësor dhe qeverisja e mirë mund të punojnë së bashku. Ata janë të dobishëm në shumë procese të rëndësishme dhe përmirësime sistematike që kanë bërë tashmë dhe do të vazhdojnë të forcojnë dhe përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet tona për qytetarët tanë.

Pra, propozimi është që Shoqata KAEF Alumni të ofrojë afërsisht 1500 orë vullnetarizëm për qeverinë tonë, e që është fantastike. Faleminderit shumë.

Por, Luani ka iniciuar një vlerësim gjithëpërfshirës të nevojave gjithëqeveritare për ekspertizë, gjë që rezultoi në rreth 45,000 ditë ekspertize të nevojshme.

Pra, oferta juaj për 1500 orë është afërsisht 188 ditë, ose rreth gjysma e përqindjes së totalit të 45,000 ditëve të nevojshme, por është një fillim i mirë.

Tani po funksionalizojmë të ashtuquajturën “Zyrë Ekspertizash” brenda Zyrës së Kryeministrit dhe do të kuptojmë së bashku me stafin lokal se si mund ta lehtësojmë më mirë punën tuaj vullnetare.

Pra, do të dëgjoni nga ne!

Dhe nëse nuk përgjigjeni, pavarësisht nga nënshkrimi i marrëveshjes – ne do të marrim taksat pas jush!

Por seriozisht, nuk mund të shprehë mirënjohjen e mjaftueshme për kontributin tuaj të vazhdueshëm dhe për ekspertizën që po u ofroni institucioneve tona shtetërore.

Sa herë që fillojmë diskutimin për ekonominë, përfundojmë duke folur për arsimin. Kur fillojmë të diskutojmë për arsimin, përfundojmë duke folur për ekonominë. Ndoshta ky është treguesi se e vetmja gjë që është më e rëndësishme se ekonomia dhe arsimi është lidhja mes të dyjave, është ura ndërmjet ekonomisë dhe arsimit dhe shtylla kryesore është qeverisja. Qeverisja ku do të marrim pjesë së bashku.

Në fund më lejoni të kujtoj dy këshilla që mora nëntorin e kaluar në Paris, derisa drekoja me mikun dhe këshilltarin tim të mirë, laureatin e Nobelit, Joseph Stiglitz. Më tha që sigurohuni që në qeverisjen tuaj të keni një ushtri menaxherësh të mirë dhe gjithashtu të vendosni procese të pakthyeshme. Procese që nuk mund të teprohen apo të kthehen mbrapsht edhe kur ju më nuk jeni në zyrë.

Ju njihni njerëz që japin 20 këshilla, e nuk kanë këshilla. Por ai më dha vetëm dy këshilla, për të cilat mund të bëjmë gjëra të mira së bashku, veçanërisht për një ushtri menaxherësh të mirë.

Mezi po presim të punojmë së bashku dhe bashkërisht të japim më të mirën tonë për vendin tonë. Prandaj ju urojmë mirëseardhje dhe faleminderit.

Last modified: 15 Korrik, 2022

Comments are closed.

×