Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Manifestimin Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze

12 Qershor, 2022

Bllacë, 12 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 23-vjetorit të Ditës së Paqes, morën pjesë në Manifestimin Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, i organizuar nën Patronatin e Presidencës së Republikës së Kosovës.

Datë të shënuar të Kosovës dhe të kombit e cilësoi kryeministri Kurti 12 Qershorin në fjalën e tij. Dallon në shënimin e saj historik, sepse kjo nuk është dita e një përpjekjeje, por e realizimit të një rruge të gjatë sakrifice e vuajtjesh historike. Ne kemi shumë ditë të larta të luftës dhe vuajtjes, por kemi pak ditë të larta të realizimeve sublime, tha ai.

Duke kujtuar se sot bëhen plot 23 vjet nga koha e çlirimit të vendit tonë, kryeministri Kurti tha se janë 23 vjet rrugëtim për të arritur lirinë që kemi ëndërruar gjithmonë.

“Është aq shumë e dhimbshme saqë ndjenjë e papërshkrueshme për shumë prej nesh që jetojmë sot këtu – pikërisht në Bllacë. Në vendin ku qindra mijëra shqiptarë kanë kaluar ditë e net të tëra nëpër tenda, në baltë, diell e shi, duke shpresuar që shpëtimi gjendet përtej kufirit”, u shpreh ai.

Më tej, kryeministri Kurti tha se në secilin 12 Qershor i kujtojmë të gjitha këto ndjenja. Tërë këto përjetime. Gjithë këtë luftë të jashtme e të brendshme që kemi bërë ndër vite, vetëm e vetëm për të mbrojtur e ruajtur tokën tonë, shtëpitë tona.

Kryeministri Kurtit tha se ne si popull e dimë mirë dhe e kemi dëshmuar se nuk na lodhë sakrifica dhe vuajtja. Dëshmorët e kombit, siç u shpreh ai, janë dëshmia e popullit për liri. Por, duhet të shquajmë edhe një të vërtetë tjetër të dhimbshme: ne nuk na lodhë lufta dhe sakrifica, por na përgjumë ca fitorja dhe suksesi.

“Kjo fitore, ky çlirim, kjo datë sublime në histori, na vendosi disi në një qetësi, në një gjendje rehatie që na e vështirësoi vazhdimin. Kjo datë na kërkonte një shpejtësi të re, një organizim të ri. Kur duhet të nguteshim dhe të përcaktonim qëllimet tona në mënyrë të qartë, ne preferuam të dëgjonim, vetëm të dëgjonim mekanikisht, pa menduar ne vetë. Për të bërë luftën, ne e morëm vetë vendimin. Për të bërë paqen dhe ndërtuar shtetin, ne prisnim këshilla nga të tjerët dhe nuk dëgjonim se ç’na thoshte zëri ynë i brendshëm historik”, tha kryeministri Kurti.

Duke përmendur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës; kërkesën e drejtpërdrejtë për njohjen e Kosovës prej atyre shteteve që nuk e njohin ende shtetin e pavarur, marrjen e kontakteve të zhvilluara për të bërë të mundshëm anëtarësimin e Kosovës në Aleancat më të natyrshme për shtetin tonë, intensifikimin e marrëveshjet mes qeverive dhe realizimin e tyre me Republikën e Shqipërisë, kryeministri Kurti tha se sa i takon zhvillimit të brendshëm kemi vazhduar të investojmë në forcimin e ushtrisë dhe policisë së shtetit, kemi arritur rritjen ekonomike mbi 10% dhe kemi mbështetur bujqësinë e industrinë vendore, të varfërit e nevojtarët, e kemi ngritur Kosovën për të mirë për 17 vende me lart sa i përket edhe luftimit të korrupsionit edhe lirisë së medieve, kurse për sundim të ligjit jemi të parët në rajon.

Jemi duke punuar fort në adresimin institucional të të kaluarës si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, tha kryeministri, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është i dinjitetshëm, vleror dhe i dobishëm.

Prandaj, tha ai, në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, e duke kujtuar të kaluarën, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që do të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi. Të brezit tonë e të gjeneratave që vijnë, tha kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar dhe deputetë të Kuvendit,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të UÇK-së,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
E nderuara në veçanti, znj. Luta

Kjo është një datë e shënuar e Kosovës dhe e kombit. Dallon në shënimin e saj historik, sepse kjo nuk është dita e një përpjekjeje, por e realizimit të një rruge të gjatë të sakrificës e të vuajtjeve historike. Ne kemi shumë ditë të larta të luftës dhe vuajtjes, por kemi pak ditë të larta të realizimeve sublime.

Dhe kur vijnë këto ditë të shquara, duhet t’u japim vëmendjen e duhur, duhet të kuptojmë që hapet një etapë tjetër për një përpjekje të re shtesë, për një ndërtim më të madh e më të mirë. Me vëmendjen e duhur, ne nuk mund të bëjmë gabimin e humbjes së kohës.

Sot bëhen plot 23 vjet nga koha e çlirimit të vendit tonë. 23 vjet rrugëtim për të arritur lirinë që e kemi ëndërruar gjithmonë.

23 vjet kur aeroplanëve të NATO-s mbi Kosovë iu bashkëngjit këmbësoria e NATO-s në Kosovë, teksa largonte forcat e Serbisë dhe takonte ushtarët e UÇK-së dhe refugjatët civilë.

E kjo e fundit është aq shumë e dhimbshme, saqë ndjenjë e papërshkrueshme për shumë prej nesh që jetojmë sot këtu – pikërisht në Bllacë. Në vendin ku qindra mijëra shqiptarë kanë kaluar ditë e net të tëra nëpër tenda, në baltë, diell e shi, duke shpresuar që shpëtimi gjendet përtej kufirit.

Qindra mijëra bashkë-atdhetarë kanë kaluar net të tëra pa gjumë pikërisht në këtë pjesë, të zemëruar e të indinjuar për dëbimin e tyre të dhunshëm nga shtëpitë e tyre, dhe të rraskapitur e të dërmuar nga ndjenja e lodhjes fizike dhe shpirtërore.

Në secilin 12 Qershor i kujtojmë të gjitha këto ndjenja. Tërë këto përjetime. Gjithë këtë luftë të jashtme e të brendshme që kemi bërë ndër vite, vetëm e vetëm për të mbrojtur e ruajtur tokën tonë. Shtëpitë tona.

Por, gjithashtu sot kujtojmë edhe ndjenjën e çlirimit. Kujtojmë momentet e paharrueshme të marrjes vesh se erdhi lira. Ato momente gëzimi që na kujtojnë që sot jemi aty ku kemi ëndërruar, të lirë në liri.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne si popull e dimë mirë dhe e kemi dëshmuar se nuk na lodhë sakrifica dhe vuajtja. Dëshmorët e kombit janë dëshmia e popullit për liri. Por, duhet të shquajmë edhe një të vërtetë tjetër të dhimbshme: ne nuk na lodhë lufta dhe sakrifica, por na përgjumë ca fitorja dhe suksesi.

Sepse kjo gjë ndodhi realisht.

Kjo fitore, ky çlirim, kjo datë sublime në histori, na vendosi disi në një qetësi, në një gjendje rehatie që na e vështirësoi vazhdimin. Kjo datë na kërkonte një shpejtësi të re, një organizim të ri. Kur duhet të nguteshim dhe të përcaktonim qëllimet tona në mënyrë të qartë, ne preferuam të dëgjonim, vetëm të dëgjonim mekanikisht, pa menduar fort ne vetë. Për të bërë luftën, ne e morëm vetë vendimin. Për të bërë paqen dhe ndërtuar shtetin dhe zhvilluar vendin, ne prisnim këshilla, e udhëzime, e urdhra nga të tjerët dhe nuk dëgjonim se ç’na thoshte zëri ynë i brendshëm historik.

Prandaj sot duhet kujtuar të gjitha, dhe pranuar të vërtetën e palëkundur. Që PO, jemi të lirë. Por ende në pranga të padukshme të gabimeve të bëra ndër vite.

Megjithatë, përgjigjja jonë në lidhje me krejt përjetimet e gabimet është puna. Puna për të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë e të fëmijëve që do të lindin në të ardhmen. E ne punën jemi duke e bërë përditë. Në mënyrën më të mirë që dijmë e mundemi:

-kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës,

-po kërkojmë drejtpërdrejtë njohjen prej atyre shteteve që nuk e njohin akoma shtetin e pavarur të Kosovës,

-kemi marrë kontakte të zhvilluara për të bërë të mundshëm anëtarësimin e Kosovës në Aleancat më të natyrshme për shtetin tonë,

-kemi intensifikuar marrëveshjet mes qeverive dhe realizimin e tyre me Republikën e Shqipërisë;

-përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është i dinjitetshëm, vleror dhe i dobishëm.

E sa i takon zhvillimit të brendshëm:

-kemi vazhduar të investojmë në forcimin e ushtrisë dhe policisë së shtetit,

-kemi arritur rritjen ekonomike mbi 10% dhe kemi mbështetur bujqësinë e industrinë vendore, të varfërit e nevojtarët.

-Sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare në vlerësimin e fundit, e kemi ngritur Kosovën për 17 vende më lart sa i përket edhe luftimit të korrupsionit edhe lirisë së medieve, kurse për sundim të ligjit jemi të parët në rajon.

E këtë do ta avancojmë edhe me procesin e vetingut.

Dhe në veçanti jemi duke punuar fort në adresimin institucional të së kaluarës si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë, mbi ne.

Prandaj, në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, e duke kujtuar luftën ta ruajmë paqen, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që do të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi. Të brezit tonë e të gjeneratave që vijnë.

Pjesëmarrjen sa më të ndershme të shumicës së shoqërisë sonë, duhet që, sa herë që mbërrin kjo datë, ta shënojmë një përpjekje të re të madhe në programin socio-ekonomik, dhe një kërkesë më të lartë në integrimin evropian e euroatlantik.

Në këtë mënyrë duhet ta festojmë Ditën e çlirimit të Kosovës, duke deklaruar përpjekjet e reja në kuadrin e realizimit të projektit ku na vendos çlirimi ynë. Ne kemi nevojë për mobilizim sa më të madh të njerëzve, për respektin sa më të madh të të drejtave të njerëzve, për integrimin e Republikës në një proces të drejtë zhvillimor dhe sigurie që do t’u vlejë brezave që vijnë dhe një morali më të lartë.

Sepse çlirimi ynë prej pushtuesit duhet të kthehet dhe të përmbushet progresivisht në emancipim të vetvetes.

Të nderuar të pranishëm,

Nderimi i duhur i të kaluarës, është respekti më i madh që mund t’u bëjmë atyre që s’janë më në mesin tonë. Dhe atyre që duke qenë në mesin tonë, akoma sot jetojnë me traumën e viteve të luftës.

Le të kujtojmë e përkujtojmë së bashku të kaluarën, që të mendojmë më shumë e më mirë për të ardhmen.

Ju falemnderit.

Last modified: 14 Korrik, 2022

Comments are closed.

×