Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Konferencën e 9-të të përbashkët ballkanike, për vlerën e ujit

3 Nëntor, 2021

 

Prishtinë, 3 nëntor 2021

“Vendi ynë nuk mund të jetë imun ndaj krizës mjedisore, prandaj është e domosdoshme, që t’i mbrojmë dhe t’u sigurojmë menaxhimin e mirë burimeve tona ujore, të ndërtojmë akumulime të reja dhe të sigurojmë ujë për zhvillim ekonomik për brezat e ardhshëm”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën dhe Ekspozitën e 9-të të përbashkët ballkanike, për vlerën e ujit.

Projektet e realizuara në të kaluarën, në emër të politikave mjedisore, duke ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vogla pa planifikim dhe llogaritje të mirëfilltë, kanë përkeqësuar gjendjen e ujërave në vend.

Prandaj, kryeministri theksoi se nuk është koha të flasim për plotësim të kërkesave minimale në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha. Është momenti të ndërmarrim veprime të guximshme dhe radikale në mbrojtjen e burimeve tona ujore dhe zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme.

Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ujit, ajrit, pyjeve, mjedisit e burimeve tona, me një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parim të drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme, tha kryeministri, duke potencuar domosdoshmërinë për studim, planifikim e investim.

Ndaj keqpërdoruesve të resurseve ujore dhe zaptuesve të burimeve ujore nuk do të ketë kompromis, theksoi Kryeministri.

U theksua se Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, më saktësisht 20% të mesatares së rajonit, vetëm 20 për qind të mesatares së rajonit. Kosova ka më së paku të reshura vjetore, që për kokë banori janë 40% të mesatares së rajonit. Uji i akumuluar për kokë banori është 290 m3 në krahasim me 696 m3 sa është mesatarja në rajon, e 42% e rajonit. Me ndryshimet klimatike, disponueshmëria me ujë pritet të bie për 20%.

Në Republikën tonë janë shtatë Kompani Rajonale të Ujësjellësve (KRU), që menaxhojnë dhe shpërndajnë ujin për qytetarët. Qasja në ujësjellës publik, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve deri në fund të vitit 2022 do ta arrijë shifrën 83%, nga 79% sa është aktualisht, tha kryeministri.
Më tej, ai theksoi synimin e Qeverisë që ta ngre këtë në 95% përmes integrimit të sistemeve rurale (6.74%) nën menaxhim të KRU-ve dhe obligimit për kyçje individuale të 4.56% të vendbanimeve, ku rrjeti ka vite që është ndërtuar, por uji nuk lëshohet. Rreth 5% të vendbanimeve mbetën pa ujësjellës, kryesisht fshatrat në zonat malore apo kufitare.

Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet drejt ndërtimit të akumulimeve të reja për të siguruar ujë të pijes dhe ujitje, pra zgjerimin e ujitjes, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rritjen e qasjes në rrjetin publik të kompanive rajonale të ujësjellësve, theksoi kryeministri në përmbyllje të fjalës së tij.

Për t’i avancuar këto synime, për të reformuar sektorin e ujërave, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar edhe përbërjen e re të Këshillit Ndërministror për Ujërat nën kryesimin e Kryeministrit Kurti dhe në përbërje të ministrave përgjegjës për resurse ujore, shërbime ujore, ujitje dhe financa.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Konferencën dhe Ekspozitën e 9-të të Përbashkët Ballkanike, për Vlerën e Ujit:

Të nderuar përfaqësues të Shoqatës së Ujësjellësve e Kanalizimeve të Kosovës e të Shqipërisë,
Të nderuar përfaqësues të Federatës së Shoqatave Ndërkombëtare e Kombëtare për Shërbimet e Ujit,
Të nderuar përfaqësues nga Banka Botërore,
Të nderuar profesionistë e ekspertë të sektorit të ujërave, studiues ndërkombëtarë e vendorë,
Zonja e zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit, që na keni bërë bashkë në Konferencën dhe Ekspozitën e 9-të të përbashkët ballkanike, për vlerën e ujit, e cila po zhvillohet përgjatë këtyre tri ditëve në vijim.

Sot, bota dhe ne si pjesë e saj jemi para një momenti të rëndësishëm, ku të kuptuarit tonë rreth krizës mjedisore, ndikimit të saj dhe vendimet që marrim për ta menaxhuar atë, e përcaktojnë të ardhmen e njerëzimit dhe planetit tonë.

Çdo vit, Forumi Ekonomik Botëror në bazë të Anketës së Perceptimit të Rrezikut Global, rendit rreziqet globale dhe ndikimet që ato do të kenë. Në vitin 2015, kriza e ujit ishte renditur në majë të listës, si një ndër rreziqet kryesore globale me të cilën do të përballeshim ne. Por, gjashtë vite pas, kriza e ujit nuk qëndron më në listën e 5 rreziqeve globale.

Këtë vit, në raportin e Forumit Ekonomik Botëror, sëmundjet ngjitëse zënë vendin e parë, pastaj renditet dështimi për të vepruar ndaj ndryshimeve klimatike, armët e shkatërrimit në masë, humbja e biodiversitetit dhe kriza e burimeve natyrore, e të tjera.

Në 2020, kriza e ujit ishte renditur e 5-ta, në 2019 e 4-ta. Fatkeqësisht, kjo nuk do të thotë se kriza e ujit i takon së kaluarës, por mund të themi se ky raport vë në pah nivelin e të kuptuarit që sot ka bota për atë se çfarë po ndodhë në të vërtetë. Kuptimi i drejtë i gjendjes dhe identifikimi i saktë i shkaktarëve, përcakton veprimet e masat, që duhet të ndërmarrim për t’u përballur me rreziqet globale dhe zgjidhjen e problemeve, që krijohen.

Sëmundjet ngjitëse, humbja e biodiversitetit dhe kollapsi i ekosistemeve, janë rezultat i krizës mjedisore dhe impaktit të saj në ujë. Kriza klimatike në mënyrë direkte ndikon në ciklin e ujit, duke shkaktuar thatësira ekstreme, reshje të paparashikueshme të shiut, përmbytje, por edhe e përcakton cilësinë e ujit, si dhe disponueshmërinë e tij.

Një studim i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Politikave Ushqimore ka gjetur se nëse vazhdohet me trendin e njëjtë të të bërit biznes dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të resurseve ujore deri në vitin 2050, më shumë se 4.8 miliardë njerëz, që i bie më shumë se gjysma e popullsisë së botës dhe afërsisht gjysma e prodhimit global të drithërave, do të rrezikohen. Siguria e ujit është dhe mbetet jetike për zhvillimin socio-ekonomik, sigurinë ushqimore, shëndetin dhe ekosistemet tona.

Vendi ynë nuk mund të jetë imun ndaj krizës mjedisore, prandaj është e domosdoshme, që t’i mbrojmë dhe t’u sigurojmë menaxhimin e mirë burimeve tona ujore, të ndërtojmë akumulime të reja dhe të sigurojmë ujë për zhvillim ekonomik për brezat e ardhshëm.

Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, më saktësisht 20% të mesatares së rajonit, vetëm 20 për qind të mesatares së rajonit. Kosova ka më së paku të reshura vjetore, që për kokë banori janë 40% të mesatares së rajonit. Uji i akumuluar për kokë banori është 290 m3 në krahasim me 696 m3 sa është mesatarja në rajon, e 42% e rajonit. Me ndryshimet klimatike, disponueshmëria me ujë pritet të bie për 20%.

Sot nga ne pritet të kemi një kuptim të saktë të problemit që kemi me ujë, ndikimit që mund të ketë kriza klimatike dhe impaktit në zhvillimin tonë socio-ekonomik, një kuptim gjithëpërfshirës të vlerës së vërtetë dhe shumëdimensionale të ujit.

Projektet e realizuara në të kaluarën, në emër të politikave mjedisore, duke ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vogla pa planifikim dhe llogaritje të mirëfilltë, kanë përkeqësuar gjendjen e ujërave në vend.

Prandaj, sot, nuk është koha të flasim për plotësim të kërkesave minimale në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha. Është momenti të ndërmarrim veprime të guximshme dhe radikale në mbrojtjen e burimeve tona ujore dhe zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme.

Ndaj keqpërdoruesve të resurseve ujore dhe zaptuesve të burimeve ujore, nuk do të ketë kompromis.

Pandemia COVID-19 e shpërfaqi saktë rëndësinë e resurseve ujore dhe ndikimin në zhvillimin e bujqësisë dhe prodhimeve bujqësore lokale, jo vetëm për shëndetin dhe ekonominë, por edhe për sigurinë tonë. Tregu i hapur dhe integrimi ekonomik nuk do të thotë se ne duhet të komplet ta mbyllim bujqësinë dhe të blejmë aty ku është më së liri, sepse kur kufijtë mbyllen apo kur thatësira e vërshimet ndodhin, shtetet së pari mbulojnë tregun vendor.

E uji është jetik për bujqësinë. Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ujit, ajrit, pyjeve, mjedisit e burimeve tona, me një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parim të drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme. Andaj na duhet studim, planifikim e investim. Këto mund të bëhen e do të bëhen.

Ne i kemi shtatë Kompani Rajonale të Ujësjellësve (KRU) në Republikën tonë, që menaxhojnë dhe shpërndajnë ujin për qytetarët. Qasja në ujësjellës publik, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve deri në fund të vitit 2022 do ta arrijë shifrën 83%, nga 79% sa është aktualisht.

Qeveria synon ta ngre këtë në 95% përmes integrimit të sistemeve rurale (6.74%) nën menaxhim të KRU-ve dhe obligimit për kyçje individuale të 4.56% të vendbanimeve, ku rrjeti ka vite që është ndërtuar, por uji nuk lëshohet. Rreth 5% të vendbanimeve mbetën pa ujësjellës, kryesisht fshatrat në zonat malore apo kufitare.

Rreth 70% e popullsisë kanë qasje në rrjetin e kanalizimit, kurse afër 10% kanë rrjet të pjesërishëm.

Infrastruktura ujore është shumë e rëndësishme si zgjidhje. Ne kemi nevojë për partneritete për investim, për të mbyllur hendekun midis kërkesës dhe ofertës për ujë deri në vitin 2030.

Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet drejt ndërtimit të akumulimeve të reja për të siguruar ujë të pijes dhe ujitje, pra zgjerimin e ujitjes, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rritjen e qasjes në rrjetin publik të kompanive rajonale të ujësjellësve.

Unë, sot pasdite jam i ftuar që të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren. Projekt ky, i cili është financuar në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Investim dhe Zhvillim, Qeverinë e Kosovës dhe komunën e Prizrenit, në kosto prej 19.5 milionë euro, faza e parë do të lëshohet sot, me kapacitet prej 50 mijë banorë, nga totali sa është për 140 mijë banorë. Ne u jemi falënderues përherë partnerëve tanë për ndihmën e vazhdueshme, që po japin në këtë sektor. Projekte të ngjashme si kjo, do të vazhdojnë të shtrihen edhe në komunat e tjera të vendit.

Për t’i avancuar këto synime, për të reformuar sektorin e ujërave, si dhe për ta koordinuar atë, ne sapo kemi themeluar edhe përbërjen e re të Këshillit Ndërministror për Ujërat nën kryesimin tim dhe në përbërje të ministrave përgjegjës për resurse ujore, shërbime ujore, ujitje dhe financa.

U uroj mbarëvajtje të suksesshme të punëve të konferencës, me rekomandime dhe konkluzione profesionale e të dobishme për zhvillimin e sektorit të ujit në nivel rajoni e më gjerë.

Ju faleminderit!

 

Last modified: 3 Nëntor, 2021

Comments are closed.

×