Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e bibliotekës së Adem Demaçit, në kuadër të Javës së Bibliotekës

22 Maj, 2023

Prishtinë, 22 maj 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në hapjen e Bibliotekës së Adem Demaçit, në kuadër të Javës së Bibliotekës.

Ajo mban emrin e mash Adem Demaçi, veprimtarit dhe intelektualit, të papërsëritshëm. Kështu tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.

“Por, në këtë ditë të veçantë, Adem Demaçi është emri i prozatorit të dashurisë kuantike, pra emri i shkrimtarit. Qenia e kësaj biblioteke, na flet me fjalët e Adem Demaçit: “Imagjinata është imja, realiteti është i juaji.” E me këtë, baca Adem ose biblioteka e tij, na thotë se imagjinata ka shumë forma autonome dhe të mundshme, ndërsa realiteti është kombinimi i tyre kompleks në aktualitet’’, u shpreh ai.

“Si të doni, sa të doni bëni realitet! Realiteti është në vullnetin tuaj.” Kjo është deviza që na propozon biblioteka, shtoi më tej ai, duke theksuar se gjithçka ka qenë realitet këtu, por që ta duam realitetin tonë, le të ushtrohemi me imagjinatën që është brenda këtyre rafteve të bibliotekës Demaçi, brenda mureve të bibliotekës Bogdani.

Kjo bibliotekë, sipas kryeministrit, vërtet do të ketë këtej e tutje edhe librat e Demaçit, atij Demaçi, që lexoi e që i mbrujti ndoshta shumicën e prozave të veta në burg. Kështu që, sipas kryeministrit, çdo i ri mund të gjejë në të një udhë, mund të kryejë një udhëtim dhe të takojë një mendimtar e shkrimtar, personazhe dhe ngjarje për ta kuptuar shumë më thellë të tashmen e vet, të qytetit dhe njerëzimit, por dhe të tashmen e dikurshme të intelektualit dhe militantit që rrezikonte veten si askush tjetër për të gjithë neve.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës, prof.Dr. Qerim Qerimi,
E nderuara, Daulina Osmani, zëvendësministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari profesor, Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,
I nderuar, z.Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,
Të dashur Shqiptar, Arbërie dhe Diell,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar pjesëmarrës,

Po e hapim sot javën e XX të Bibliotekës. Biblioteka është teknologji e lartë, është arkivim i lartë, është dije e lartë, edhe përmban një lëndë sublime, mendimin.

Andaj edhe janë paraparë panele studiuesish, arkivuesish e bibliotekarësh. Java e bibliotekës vetëm na bën nder, sepse është kultura për të gjithë, është dija për të gjithë, është shija për të gjithë. Përpara bibliotekës të gjitha janë të barabarta.

Kjo bibliotekë, nga personale po vjen dhe e përmbush barazinë e publikes.

Ajo mban emrin e madh, Adem Demaçi, veprimtarit dhe intelektualit, të papërsëritshëm. Por, në këtë ditë të veçantë, Adem Demaçi është emri i prozatorit të dashurisë kuantike, pra emri i shkrimtarit. Qenia e kësaj biblioteke, na flet me fjalët e Adem Demaçit: “Imagjinata është e imja, realiteti është i juaji.” E me këtë, baca Adem ose biblioteka e tij, na thotë se imagjinata ka shumë forma autonome dhe të mundshme, ndërsa realiteti është kombinimi i tyre kompleks në aktualitet.

Art, histori, shkencë, politikë, ekonomi, teknologji, mbrojtje, aq sa janë Zanat apo muzat e Adem Demaçit e të këtij kombi tonë. “Si të doni, sa të doni bëni realitet! Realiteti është në vullnetin tuaj”. Kjo është deviza që na e propozon biblioteka. Gjithçka ka qenë realitet këtu, por që ta duam realitetin tonë, le të ushtrohemi me imagjinatën që është brenda këtyre rafteve të bibliotekës Demaçi, brenda mureve të bibliotekës Bogdani.

Më shumë se kurrë lipset t’i japim rëndësi leximit të nderuar të pranishëm, jo vetëm për dijen e përqendruar, më të përpiktë, por edhe për një formë durimi specifik, të cilin nuk ta siguron shumësia e mjeteve moderne elektronike, por lidhja e drejtpërdrejtë me gjuhën, me vetminë dhe me shoqërinë, estetika e faqes së letrës.

Natyrisht që biblioteka do të shkojë edhe më tej në modernizimin e mjeteve në shërbim të lexuesit, në digjitalizim të vetvetes së saj, por më së pari ajo do të përpiqet të mbajë afër brezin e teknologjisë me atë të intimitetit të dijes dhe të kolektivit të kërkimit.

Ka diçka thelbësore në kontaktin me librin. Është përmasa e kohës, ose më mirë ndjenja autonome e kohës, ajo që e quajmë kohësi. Sa më shumë e lëmë veten rob të medieve sociale dhe të suporteve të tjera e të reja teknologjike të informimit, aq më shumë do të lexojmë copa, tekste të shkurtra, mesazhe të paqarta, kuptime të papërcaktuara. Aq më shumë do të rrezikojmë formimin nga këso informime. Besoj se panelet të cilët do të zhvillohen këtë javë, do të na ndriçojnë shumë mbi temën e kohës së lirë dhe formimit të mirë.

Me rritjen e informimit dhe medieve sociale, koha jonë do të jetë e shpërqendruar, sidomos te brezi i ri. Nëse nuk do të kthehemi te biblioteka, te përqendrimi, atëherë aftësia jonë për t’u përqendruar nuk do të jetë më vetia jonë. Sa më shumë koha e reflektimit dhe përgjigjes shkurtohet, aq më shumë frazat tona do të kenë më pak nevojën e fjalës, më pak nuancën dhe ndjeshmërinë në komunikim, nuk do ta kenë cilësinë retorike, aq më shumë do të ngjajnë frazat tona me njëra tjetrën.

Viktima kryesore e këtij degradimi do të jetë fjala mbretëreshë e filozofisë nga Platoni te Kanti, pra, Ideja. Sepse Ideja ka nevojë për reflektime intime të gjata dhe për debate të duruara e të sjellshme, për të folurin në gjuhën e tjetrit. Për këtë duhet libri, aty ku autori flet gjatë dhe ne dëgjojmë me vëmendje.

Teknologjia na i sjell lajmet nga çdo cep i botës, por ama libri na i sjell reflektimin mbi ngjarjet nga çdo cep i kohës. Andaj Biblioteka është një send që shkon e vjen lirshëm mes mitit dhe historisë, andaj biblioteka na barazon para historisë. Është jo vetëm ajo biblioteka që bën pjesë në listën e mrekullive të lashtësisë, ngjitur me farin që ndriçonte mbi errësirat e përbotshme, në Aleksandrinë e madhështive, por është edhe ajo biblioteka e princit beduin e që ky e merrte me vete ngado që shkonte ngarkuar mbi kafshë e nëpër shkretëtirë. Por është edhe ajo e Borgesit, biblioteka si banimi absolut dhe i pafundëm i njeriut. Është biblioteka e librave të shenjtë, por edhe e librit ku natyra shkruhet në gjuhën e matematikës. Është biblioteka që e gjejmë te gjyshi e te gjyshja, por e dimë që me nënvizimet tona në një libër, do të mund të flasim me nipat e mbesat kur të mos jemi më. Sepse është letra dhe lapsi, ekrani ku shkruajmë në copa ndijimesh dhe intuitash.

Le ta kujtojmë, poetin e madh amerikan Edgar Allan Poe, jo vetëm si shkrimtarin, por edhe si lirikun e epikun e elektromagnetizmit, sepse shkrimtari i madh, e ndjek edhe zhvillimin e shkencës më të fundit me himnin e trupit të vet.

Në një bibliotekë bota është ende e njeriut, jo e statistikës. Kjo bibliotekë vërtet do të ketë këtej e tutje edhe librat e Adem Demaçit. Atij Demaçi që lexoi e që i mbrujti ndoshta shumicën e prozave të veta në burg. Kështu që, çdo i ri mund të gjejë në një udhë, mund të kryejë një udhëtim dhe të takojë një mendimtar e shkrimtar, personazhe dhe ngjarje për ta kuptuar shumë më thellë të tashmen e vet, të qytetit e të njerëzimit, por dhe të tashmen e dikurshme të intelektualit dhe militantit që rrezikonte veten si askush tjetër për të gjithë neve.

Nuk ka proces më rentabël sesa bashkëpunimi me bibliotekën. Sistemi i referencave, një nga temat kryesore të paneleve, do të vlejë pikërisht për këtë organizim të kohës dhe të kërkimit.

Biblioteka e mirorganizuar është proces rentabël për fabrikimin me lëndën e formës më të lartë, pra, mendimin. Duke zgjuar brenda nesh atë inteligjencë dhe imagjinatë që e kemi, por nuk kemi raste ta zbulojmë vetvetiu, biblioteka ndoshta është një nga mjetet më të rëndësishme për bashkëveprimin shoqëri-shtet.

Për fund, le të kujtojmë ftesën që na e bën një nga njerëzit më të hollë të mendimit për artin dhe gjuhën, Roland Barth. Ai nuk na thotë se po lexuam do të dimë më shumë, as që do të fitojmë më shumë autoritet apo financë. Ai thotë thjesht se do të pëlqejmë, do të jetojmë brenda një kënaqësie të shtuar. Dhe kjo do të thotë se do të kundrojmë më hollë në shijen që fitojmë kur ndjekim hap pas hapi kristalizimin e talentit në gjuhë e në jetë.

Populli i Adem Demaçit, populli i bacës Adem që i përdori më së miri burgjet si bibliotekë, nuk ka se si të mos e përdorë mirë bibliotekën për një liri më të ditur.

Nuk mjafton t’i lexojmë librat e bacës Adem e të mësojmë për të, por duhet të shkojmë edhe tek biblioteka Adem Demaçi, dhe te Adem Demaçi si bibliotekë, të lexojmë librat e tij, por edhe të lexojmë librat që ai lexoi.

E për librat e tij, gjithë brezin e ri unë do ta udhëzoja që të fillojë me ‘’Dashurinë kuantike të Filanit’’ pastaj me librin për “Vet Mohimin” dhe sigurisht me “Gjarpërinjtë e Gjakut”.

E po i lexuat ju të rinj e të reja, këta tre libra, unë ju garantoj që do ta lexoni pastaj secilin tekst të tij, e do ta rilexoni për aq sa do të jetoni e veproni.

Ju uroj suksese në këtë javë jubilare, uroj të kemi sa më shumë biblioteka, sa më shumë lexues. E i uroj jetë të gjatë Bibliotekës. Biblioteka kur mban emrin Adem Demaçi, padyshim që do të jetojë gjatë.

Faleminderit!

Last modified: 22 Maj, 2023

Comments are closed.

×