Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

15 Prill, 2024

Prishtinë, 15 prill 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ngjarje kjo në edicionin e saj të dytë, ku mbajti fjalën hyrëse në sesionin “Si të rrisim rolin e grave në proceset e paqes?”.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e të qenurit bashkë, për kauzën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, në Kosovë e çdokund.

“Ne jemi pranë të mbijetuarave, gjithmonë, edhe dje edhe sot. Duke e paguar një çmim shumë të lartë për lirinë, ato bëhen kujdestaret më të mira të lirisë, andaj edhe punojnë për paqen. E sjellin më shpejt atë, e përfshirja dhe pjesëmarrja e tyre siguron paqen. Paqen që qëndron e që shëron. Ato që para një çerek shekulli ishin subjekt i luftës çnjerëzore të projektit gjenocidal të Serbisë, sot janë heroinat tona. Heroina të zëshme e të heshtura. Ndonëse mund të mos ua dijmë emrat, të gjithave ua njohim forcën dhe qëndresën”, u shpreh kryeministri.

Ai nënvizoi rëndësinë e reflektimit, nevojës për paqe, fuqizimin e grave dhe gjithëpërfshirjen. “Veprimet tona duhet të flasin më fort se fjalët që themi. Ne po zbatojmë ligje që garantojnë barazi në të drejta, po zbatojmë politika e po ndajmë fonde që garantojnë barazi në mundësi. Gjatë këtij mandati, janë zbatuar një sërë reformash për avancimin e grave në shoqëri”, shtoi ai, duke përmendur punësimin e mbi 12 mijë grave me mbështetjen e drejtpërdrejtë të shtetit, masën e mbështetjes për gratë dhe kryefamiljaret edhe përmes skemës “Qeveria për Familjet”, lansimi i masës së punësimit për gratë që janë viktima të dhunës, skemat e shtesave për fëmijë e nënat e reja, ku edhe 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare në emrin e tyre, por edhe bursat në programet e STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë, ku kanë përfituar rreth 3,000 studente gra e vajza.

Duke shprehur se pavarësia ekonomike e grave është hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të lirisë individuale dhe paqes sociale, kryeministri Kurti veçoi dhe rëndësinë në qasje dhe mundësi për të gjitha vajzat në arsim, duke theksuar se arsimimi i tyre është garantues i progresit mbarëshoqëror.

Në vijim, kryeministri kujtoi rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2021 mbi dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, dhe 25-vjetorin e shumë masakrave në vendin tonë nga Serbia, kryeministri shtoi se “Më 27 prill, Kosova e shënon edhe Ditën e të zhdukurve, në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë, e që vazhdojnë të jenë të pagjetur. Kujtojmë forcën e grave që qëndrojnë, në Mejë, në Krushë, e kudo. Nuk i harrojmë “Thirrjet e nënave” të Kosovës, e as nënat e Srebrenicës”.

Kryeministri Kurti e përmbylli fjalën e tij duke thënë se “Jemi mirënjohës për kontributin e grave ndër breza, vigjilencën e tyre ndaj pabarazisë dhe solidaritetin ndaj njëra-tjetrës që janë ende edhe sot frymëzuese për të gjitha gratë, për mbarë popullin tonë, e secilin qytetar të Republikës. U jemi falënderues për punën vetëmohuese, për angazhimin e dyfishtë që secila prej jush e bën. Jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale tona të përbashkëta”.

Pas fjalës hyrëse të kryeministrit, biseda vijoi me panelin e diskutimit ku ishin pjesëmarrës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ish zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ish ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, profesori dhe analisti i politikës së jashtme, Edward Joseph, studiuesi dhe autori Jasmin Mujanovic, me moderimin e ekspertes Jeta Krasniqi.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Ladies and gentlemen,

Dear panelists,

Your Excellency, Ambassador Hovenier, we were on a panel regarding our successful solar energy auction nearly 10 months ago, at this same venue, whereas with professor Edward, who is just arriving now, we were on a panel 10 years ago at the Johns Hopkins University. Meliza, Jasmin and Edita, this may be our first time that we share the panel, but be sure and aware that the government follows what you say publically on media humbly. I am pleased to be here with all of you at the Women, Peace and Security Forum. I will continue now my speech in Albanian language.

Tri fjalë të rëndësishme na kanë mbledhë sot këtu: Gratë, Paqja dhe Siguria. Sot jemi bashkë për këtë trinom që është i lidhur ngushtë. Dje po ashtu ishim bashkë në shënim të Ditës së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Jemi bashkë, ҫdo ditë në kauzën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, çdokund.

Kur rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit u miratua në tetor të vitit 2000, ne kishim rreth 20 mijë viktima nga lufta e viteve 1998-99. Në këtë rezolutë, mes tjerash, flitet për sanksione dhe përjashtim kategorik të amnistisë në rastet e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës. Andaj ne jemi pranë të mbijetuarave, gjithmonë, edhe dje edhe sot. Duke e paguar një çmim shumë të lartë për lirinë, ato bëhen kujdestaret më të mira të lirisë, andaj edhe punojnë për paqen. E sjellin më shpejt atë, e përfshirja dhe pjesëmarrja e tyre siguron paqen. Paqen që qëndron e që shëron. Ato që para një ҫerek shekulli ishin subjekt i luftës çnjerëzore të projektit gjenocidal të Serbisë, sot janë heroinat tona. Heroina të zëshme e të heshtura. Ndonëse mund të mos ua dijmë emrat, të gjithave ua njohim forcën dhe qëndresën.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Nuk mund të ecim drejt paqes globale, pa reflektuar thellë në atë se çfarë do të thotë të jesh njeri – të reflektojmë mbi humanitetin tonë dhe t’i tejkalojmë rendet shoqërore arkaike, që nuk i shërbejnë të mirës së përgjithshme e as të ardhmes së njerëzimit. Po e shohim çdo ditë e më shumë se në çfarë gjendje të krizës së sigurisë globale është sot bota si rezultat i burrave me ego të brishta që duan të tregojnë se kush i ka muskujt artilerik më të mëdhenj. Unë besoj se njerëzimi është shumë më i mirë se kaq.

Dhe për paqen nevojitet një humanizëm i madh. Këtë burim njerëzor bashkë me dijen, maturinë e guximin e kanë ofruar vajzat e gratë edhe në historinë tonë. Kemi shembuj frymëzues të kontributit të tyre në përpjekjet për liri, në ndërtimin dhe në funksionimin e Republikës sonë dhe në demokratizimin e institucioneve tona. Emrat e tyre janë në çdo ngjarje historike siç janë edhe në vendime të rëndësishme shtetërore. Ato nuk i ofrojnë siguri veç njëra-tjetrës, por në përgjithësi qytetarëve të Kosovës, secilës e secilit pa dallim.

Sot, me gjithë betejën për drejtësi, me gjithë faktet e njohura të krimeve, si udhëheqës jemi të obliguar të veprojmë jo vetëm prej anës së ndërgjegjes sonë, por edhe obligimit që buron nga dokumente si rezoluta 1325 dhe të tilla si kjo që kanë dalë si kërkesë e vetë grave dhe viktimave.

Një prej synimeve është që gratë të mos portretizohen e shihen si viktima. Kosova po e sfidon këtë portretizim me gra në institucionet më të larta shtetërore, me gra në institucionet e sigurisë dhe me të mbijetuarat e dhunës seksuale të cilat tash janë aktiviste publike dhe sinonim i forcës. Ato e dinë më së miri dhe na japin mësim neve, pjesës tjetër, se siguria është e pakompromis dhe se paqja është obligim.

Paqja nuk mund të arrihet pa gjithëpërfshirje. Ne e njohim rëndësinë e përfshirjes së grave në dialog. Është e domosdoshme që ato të dëgjohen e që pikëpamjet e tyre të respektohen. Dialogu ka dy nivele: të punës dhe të angazhimit që bëhet nga ekipi, së bashku me institucionet e Republikës, si dhe atë të pjesëmarrjes në takimet në Bruksel. Në të dyja këto, në ekipet përkatëse, gratë janë të përfshira sipas fushës së ekspertizës.

Veprimet tona duhet të flasin më fort se fjalët që themi. Ne po zbatojmë ligje që garantojnë barazi në të drejta, po zbatojmë politika e po ndajmë fonde që garantojnë barazi në mundësi. Gjatë këtij mandati, janë zbatuar një sërë reformash për avancimin e grave në shoqëri. Masa e politika mbështetëse për një shoqëri barazimtare e më të drejtë; po i përmendi vetëm disa prej tyre.

Me mbështetjen e drejtpërdrejtë të shtetit janë punësuar mbi 12,000 gra. Në tri vite qeverisje, mbi 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna, prej të cilëve gjysma janë vajza e gra.

Me masën “Qeveria për Familjet”, ku kemi subvencionuar pagën e punëtorit, ashtu që të sigurohemi se së paku një anëtar i familjes është i punësuar, kemi mbi 2,600 familje përfituese, përsëri gjysma e tyre janë gra, kryefamiljare gra.

Në fund të vitit të kaluar, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për herë të parë lansuam masën e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës. Përmes kësaj mase, do të subvencionojmë 70 për qind të pagës së të punësuarave për 6 muaj me radhë. Deri më tani, janë dhjetëra aplikuese që pritet të përfitojnë nga kjo masë. Ndërkaq, aktualisht është e hapur thirrja për fuqizim ekonomik të grave dhe të vajzave që kanë të zhdukur gjatë luftës si anëtarë të familjes së tyre.

Si rezultat i skemës së shtesave për fëmijë e lehona, pra nënat e reja, 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare në emrin e tyre. Pavarësia ekonomike e grave është hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të lirisë individuale dhe paqes sociale.

Rreth 3,000 studente gra e vajza, kanë përfituar bursa në programet e STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë. Në fund të këtij muaji, për herë të dytë organizojmë konferencën e përvitshme “STEMinists”. Qasje dhe mundësi për të gjitha vajzat në arsim, sepse arsimimi i tyre është garantues i progresit mbarëshoqëror.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Republika e Kosovës angazhohet për paqe dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Ne besojmë se themeli i paqes është drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i kriminelëve. Dialogu i mirë mund të zhvillohet kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

Më 27 prill, Kosova e shënon edhe Ditën e të zhdukurve, në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë, e që vazhdojnë të jenë të pagjetur. Kujtojmë forcën e grave që qëndrojnë, në Mejë, në Krushë, e kudo. Nuk i harrojmë “Thirrjet e nënave” të Kosovës, e as nënat e Srebrenicës.

Në vitin 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë. Kjo rezolutë “fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Këtë pranverë, teksa përkujtojmë 25 vjetorin e masakrave të kryera në vendin tonë nga Serbia, kujtojmë edhe të gjitha viktimat e luftërave të viteve të 1990-ta në Ballkan dhe forcën e qëndresën e grave dhe të vajzave, që mbi shkatërrimin e luftës, po ndërtojnë paqen.

Jemi mirënjohës për kontributin e grave ndër breza, vigjilencën e tyre ndaj pabarazisë dhe solidaritetin ndaj njëra-tjetrës që janë ende edhe sot frymëzuese për të gjitha gratë, për mbarë popullin tonë, e secilin qytetar të Republikës. U jemi falënderues për punën vetëmohuese, për angazhimin e dyfishtë që secila prej jush e bën. Jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale tona të përbashkëta.

Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përtej së qeni një premtim i së ardhmes, është angazhim i yni i përditshëm. Duke punuar bashkë për të tashmen, le t’i ngrisim të fortë e të qëndrushëm themelet e barazisë mes individëve e paqes mes kombeve, që t’ua lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm.

Ju falemnderit. Thank you.

 

Last modified: 15 Prill, 2024

Comments are closed.

×