Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri homazhe te lapidari i Memë dhe Prend Zef Lleshit, në 25-vjetorin e rënies së tyre

28 Janar, 2024

Vraniq, Gjakovë, 28 janar 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të familjes Lleshi dhe me bashkëpunëtorë nga Gjakova, ka bërë sot homazhe dhe ka vënë lule të freskëta te varrezat e dëshmorëve në Vraniq të Gjakovës, në 25-vjetorin e rënies së dëshmorëve Memë dhe Prend Zef Lleshi.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se familja Lleshi, sikurse edhe shumë familje të tjera në Kosovë kanë kontribuar për çlirimin e vendit, andaj sot kujtojmë me krenari dy anëtarët e kësaj familje, Memë e Prend Lleshin, të cilët ranë heroikisht në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe.

“Aty prehen në varre të katër bijtë e familjes Lleshi, dëshmorë të kombit, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë në betejë të drejtpërdrejtë për lirinë e atdheut. Ata janë: Mark Lleshi, Kolë Gjon Lleshi, Memë Zef Lleshi dhe Prend Zef Lleshi. Mema dhe Prendi ranë dëshmorë 25 vite më parë, më 28 janar 1999, në luftime me forcat e Serbisë në Goden të Hasit, kurse Marku me Kolën qenë përjetësuar si dëshmorë më 7 gusht 1998, në luftimet që kanë marrë emrin beteja e Markalleshëve”, tha kryeministri Kurti.

Duke kujtuar sakrificën e kësaj familjeje, ai tha se angazhimi dhe lufta totale e familjeve shqiptare sikur rasti i familjes Lleshi, e kanë shtruar rrugën nëpër të cilën është ecur deri te liria e Kosovës. E gjithë përpjekja dhe flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të popullit shqiptar, është e monumentalizuar si sakrificë në themelet e Republikës së Kosovës, shtetit tonë që duam, që duhet dhe që po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më të fortë, tha kryeministri.

Lavdi dëshmorëve Memë, Prend, Mark dhe Kolë Lleshi, për luftën e tyre dhe jetën e dhënë për liri!

Last modified: 28 Janar, 2024

Comments are closed.

×