Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Isa Mustafa u takua me kryeministrin e Baden-Württembergut, Winfried Kretschmann (Video)

25 Nëntor, 2015

Shtutgart, 25 nëntor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është pritur sot me nderime shtetërore nga kryeministri i Landit të Baden-Württembergut, Winfried Kretschmann.

Pas ceremonisë solemne dhe nënshkrimit në librin e mysafirëve të nderit, kryeministrat Mustafa dhe Kretschmann dhanë nga një deklaratë për gazetarët dhe të pranishmit.

Kryeministri Winfried Kretschmann, në fjalën e tij tha se, duke qenë e pavarur që nga viti 2008, Kosova përgjatë rrugës së vet politike, jo gjithmonë të lehtë, ka arritur shumëçka.

“Një moment i rëndësishëm është edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në, që u nënshkrua jo më larg se muajin e kaluar. Marrëveshja paraqet hap të rëndësishëm në rrugën drejt Evropës, për ç’gjë dëshiroj t’iu përgëzoj edhe njëherë nga zemra. Mes dy vendeve tona ekzistojnë kontakte dhe bashkëpunime të ngushta të cilat ne dëshirojmë t’i thellojmë edhe më tej. Një shembull të cilin dëshiroj ta nxjerr në pah është projekti Diakonie Baden-Württemberg, projekti bazohet në një vendim të ligjshëm dhe mundëson bashkëpunimin në lëmin e shkollimit profesional, dhe përkujdesjes shëndetësore. Deri sot shumë kosovarë kanë nisur me shumë zell shkollimin profesional në institucionet e përkujdesjes shëndetësore. E dimë që puna e tyre atje vlerësohet lartë. Ligji gjerman i azilit është rrugë e gabuar për njerëzit nga Kosova që kërkojnë punë këtu, sepse ata që parashtrojnë kërkesa për azil, e di që nuk kanë përjetuar as luftë, as përndjekje politike. Ata persona ne duhet t’i kthejmë. Por, ne dëshirojmë ta lehtësojmë qasjen e bashkatdhetarëve tuaj në tregun tonë, në shkollimin profesional dhe punë. Prandaj, Qeveria jonë, me këmbëngulje ka kërkuar, së bashku me Qeverinë Federale Gjermane, që të arrihen marrëveshje të reja. Rregulloret e tilla janë aprovuar në gjithë Gjermaninë, dhe në qoftë se dëshironi ta shihni nga ajo perspektivë, ky është fryt i bashkëpunimit tonë të përbashkët. Nuk është qëllimi ynë që t’ua marrim njerëzit e kualifikuar, sepse e dimë që kokat e mençura dhe duart e zellshme nevojiten si atje si këtu. Kualifikimi dhe përvoja profesionale që merren këtu, mund të jenë të dobishme edhe në vendin tuaj, sepse si këtu ashtu edhe në Kosovë, specialistët e aftësuar janë parakusht i rëndësishëm i përparimit ekonomik. Sistemi ynë i shkollimit profesional dual është i dëshmuar si recetë e suksesshme në kohë, madje është kthyer në një ide që ne e eksportojmë me sukses. Kjo ide po imitohet gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Nëse keni interes, jeni të interesuar, ne do të kishim kënaqësinë t’ua ofrojmë mbështetjen fillestare në ndërtimin e drejtimeve të reja të shkollimit profesional dual në Kosovë. Por, ne do të duhej ta çojmë përpara edhe shkëmbimin e studentëve përmes të dy vendeve. Bashkëpunimi ynë intensiv është treguar edhe në një vizitë që është realizuar në muajin shkurt. Aty, në atë kohë, gjithnjë e më shumë kosovarë po e lëshonin vendin e tyre drejt Gjermanisë. Ndërsa, z. ministër Friedreich dhe znj. ministre Krebs udhëtuan në drejtimin e kundërt. Qëllimi i këtij udhëtimi nuk ka qenë vetëm që të kuptohen më mirë arsyet e këtij migrimi, por edhe që të ndihmojmë në zhdukjen e këtyre shkaqeve. Ndërkohë, del si fakt që numri i azilkërkuesve nga Kosova ka rënë dukshëm. Shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj në mënyrë eksplicite juve dhe Qeverinë tuaj për punën që keni bërë në fushatën e informimit të popullatës tuaj dhe për angazhimin që t’i bindni njerëzit që të mbeten në Kosovë. Natyrisht që askush nuk e lëshon vendlindjen e vetë kot, dhe pa nevojë, andaj është dëshira jonë që t’ju ofrojmë mundësi të ndryshme bashkëpunimi që do të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, edhe kur bëhet fjalë për perspektivat e reja ekonomike në Kosovë. Prandaj, edhe po gëzohem që sot në mëngjes këtu në pallat është mbajtur një tryezë e rrumbullakët për ekonominë të cilën e ka drejtuar z. ministër Friedreich, në kuadër të saj ndërmarrjet e interesuara nga Baden-Wurttembergu kishin mundësinë të informohen më hollësisht për mundësitë ekonomike dhe të investimit në Kosovë.

Përpara së gjithash ne dëshirojmë të jemi partner i juaji i besueshëm dhe serioz përgjatë rrugës suaj drejt cakut tuaj të madh, anëtarësimit tuaj në Bashkimin Evropian. Unioni Evropian nuk është vetëm komunitet ekonomik, por është komunitet vlerash të përbashkëta, andaj ai që ka për qëllim të anëtarësohet në Unionin Evropian, ai i pranon këto vlera siç janë liria, demokracia dhe shtetet dëshirojnë që këto vlera t’i instalojnë në shtetin e vet. Pikërisht në këto kohëra kur terroristët po i luftojnë dhe rrezikojnë këto vlera, është e nevojshme që të gjithë ata që ndajnë këto vlera të qëndrojnë edhe më afër njëri-tjetrit dhe t’i ndihmojnë njëri-tjetrit.

Prandaj, edhe një herë z. kryeministër Mustafa, mirë se erdhe këtu tek ne, ju dhe delegacioni juaj dhe i gëzohem shumë bisedës pasuese me ju”, tha kryeministri i Winfried Kretschmann.

Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij e falënderoi shumë kryeministrin Kretshman për ftesën duke shprehur dëshirën që edhe ai të jetë mysafir në Kosovë, sa më parë.

“Ne gjatë gjithë kësaj periudhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, pas vitit 1999, e kemi pas përkrahjen e Gjermanisë. Shumë njerëz tanë kanë gjetur strehim këtu në Gjermani, kemi një komunitet mjaft të madh edhe në Landin e Baden-Württembergut, dhe ata i kontribuojnë ndërtimit dhe investimit në Kosovë. Ne kemi pas një fluks të pa rëndomtë të migrimit në fillim të këtij viti dhe në fund të vitit të kaluar. Një numër i madh kanë ardhur edhe në këtë land, kemi arritur që të ndalojmë tërësisht këtë fluks dhe nuk dëshirojmë që asnjë asnjeri nga Kosova të vij dhe të kërkoj azil. Ne e konsiderojmë Kosovën vend të sigurt të origjinës, dhe jemi të hapur që të gjithë ata që kanë ardhur këtu të kërkojnë azil të kthehen dhe të riintegrohen. Dëshirojmë që ardhja e mëtutjeshme e njerëzve tanë këtu të jetë vetëm për shkollim ose të vjen me kontratë legale të punës për ato që ne merremi vesh me firmat tuaja dhe me Qeverinë tuaj. Ne vlerësojmë se në landin tuaj keni shkolla shumë të forta profesionale që kemi nevojë t’i përdorim në këtë mbështetje tuajën dhe këtë ndihmë tuajën në shkollimin e njerëzve tanë. Jemi të interesuar që të vijnë sa më shumë biznese nga landi Baden-Württembergut  dhe të investojnë në Kosovë, mirëpo gjithmonë mbi bazën e interesit ekonomik dhe të bashkëpunimit ekonomik. Unë edhe sot e kam theksuar në tryezën e rrumbullakët të mëngjesit se ju na keni ndihmuar shumë, që nga paslufta deri më tani.

Tani më, ne nuk kërkojmë ndihma, kërkojmë bashkëpunim ekonomik, sepse kjo është ndihma më e madhe që na e jepni. Unë ju falënderoj juve dhe shtetin gjerman për përkrahjen në integrimet evropiane. Me përkrahjen tuaj ne e kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim. Na nevojitet përkrahje e Gjermanisë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, që njerëzit tanë të vijnë, të shkollohen, bizneset tona të kenë lëvizje të lirë këtu, dhe në vendet tjera të Bashkimit Evropian. Ne do të zhvillojmë një ekonomi të tregut të hapur. I kemi dhënë prioritet themelor zhvillimit ekonomik dhe konsiderojmë se ne nuk mund të zhvillohemi, nëse bizneset tona janë të kufizuara në lëvizjen në tregun e Bashkimit Evropian. Jemi të gatshëm që të jemi aleat në luftën kundër terrorizmit, së bashku me të gjithë popujt e Bashkimit Evropian dhe popujt tjerë. E shprehim shqetësimin për atë që po ndodh, edhe për atë që ka ndodhur në Francë, dhe për rrezikun që po i kanoset vendeve tjera. Jemi shumë të interesuar që të kemi një bashkëpunim të thellë me juve dhe me Qeverinë e këtij landi. Pohojmë se kemi shumëçka të mësojmë nga ju në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin arsimor dhe në fusha tjera sepse keni arritur rezultate shumë të mira. Ju falënderojmë shumë për mundësinë që na e keni dhënë të jemi këtu së bashku me ju”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Më pas, kryeministri Isa Mustafa dhe delegacioni i Qeverisë së Kosovës, i përbërë nga ministrat Hykmete Bajrami, Blerand Stavileci dhe Arban Abrashi, kanë vizituar selinë e kompanisë Daimler AG, e cila prodhon makinat Mercedes.

Gjatë takimeve me drejtuesit e kësaj Damiler, delegacioni kosovar është njoftuar me punën dhe rezultatet e kësaj kompanie.

Kryeministri Mustafa i ka ftuar drejtuesit e Daimler AG që të shqyrtojnë mundësitë që të investojnë në Kosovë, duke pas parasysh resurset që ka Kosova.

Last modified: 25 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×