Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Isa Mustafa priti shefen e re të Zyrës së BE-së, Natalia Apostolova

13 Shtator, 2016

Prishtinë, 13 shtator 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim njoftues shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova.

Gjatë takimit, është biseduar për avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.

Deklarata e plotë e kryeministrit Isa Mustafa:

Pata nderin të pres në takim njoftues znj. Natalia Apostolova, e cila tash e tutje do të jetë Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, si dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.
I dëshirova mirëseardhje dhe suksese në detyrën e saj e cila ka rëndësi për avancimin e shumë proceseve për Kosovën në Bashkimin Evropian.
Duke  pasur parasysh përvojën shumë të pasur të znj. Apostolova në kuadër të Bashkimit Evropian në Bullgari, por edhe përfaqësimit të saj në vendet e tjera mbi 25 vjet, besoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer dhe rezultativ që e kemi pasur edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të gjejë vendin e vet dhe të intensifikohen edhe më tutje marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit biseduam për proceset konkrete që kanë të bëjnë me avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.
Biseduam për procesin e Stabilizim Asocimit,  proces i cili po tregohet i suksesshëm në Kosovë, por që dëshirojmë që edhe më tutje ta dinamizojmë dhe të implementojmë me sukses këtë marrëveshje.
Biseduam po ashtu për procesin e dialogut me Serbinë dhe përkushtimin e Kosovës për dialogun, por po ashtu theksova nevojën që Bashkimi Evropian të bëjë trysni mbi Serbinë, në mënyrë që të implementohen marrëveshjet e deritanishme të arritura, sepse ka zvarritje të këtyre marrëveshjeve, të cilat ndikojnë pastaj edhe në zvarritjen e proceseve europianizuese, për të cilat ne jemi të interesuar në mënyrë esenciale.
Biseduam po ashtu edhe për procesin e liberalizimit të vizave, si një proces shumë i rëndësishëm për ne. Theksova përkushtimin tonë që ne të përplotësojmë edhe kriterin e fundit, i cili ka mbetur, por po ashtu edhe falënderova për vendimin e LIBE-s, që me këtë të procedohet në Parlamentin Evropian, që është një besim për Kosovën, por po ashtu edhe për të gjithë atë që Kosova ka bërë deri më tani në plotësimin e të gjitha kritereve, të cilat kanë qenë shumë më shumë sesa kriteret që i kanë pasur vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian me të gjithë mekanizmat po përkrahë Kosovën, por ne po ashtu kërkojmë përkrahje edhe më të madhe rrugës integruese evropiane të Kosovës, pasi që konsideroj që Kosova dhe populli i saj meriton plotësisht një përkushtim më të madh që t’i bashkëngjitet familjes së madhe evropiane.
Ne jemi thellësisht të bindur se edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Kosovën dhe për potencialin e saj progresiv, human, ekonomik, politik dhe aspekte të tjera, që e pasurojnë atë.
Ne do të punojmë me përkushtim me znj. Apostolova dhe të gjithë përfaqësuesit tjerë të Bashkimit Evropian që Bashkimi Evropian kërkon prej nesh, për anëtarësimin tonë sa më parë në Bashkimin Evropian
Konsiderojmë që integrimet euroatlantike janë aspiratë jona, vizion, përkushtim dhe synim i padiskutueshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj.
Faleminderit znj. Apostolova, të uroj mirëseardhje dhe sukses në Kosovë.

Deklarata e plotë e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë/PPBE, Natalia Apostolova
 
Më lejoni të filloj duke thënë që jam e nderuar dhe me entuziazëm po e marrë detyrën e re si Shefe e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së (PPBE).
Po e them këtë duke e pasur në mendje përvojën time shtatë vjeçare në procesin negociator të vendit tim Bullgarisë me Bashkimin Evropian. Prandaj, ajo që i thashë Kryeministrit është se e njoh shumë mirë se çfarë pune të vështirë keni para vetes por që unë jam shumë e gatshme të ju përkrah pa rezervë në këtë proces.
Në takimin me Kryeministrin e përsërita edhe një herë përcaktimin tonë të plotë që Kosova është lartë në agjendën Evropiane dhe se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e BE-së në rrugën e saj Evropiane.
Siç e dini Bashkimi Evropian është partneri, donatori dhe përkrahësi kryesor tregtar i Kosovës. Që nga viti 1999 tashmë kemi shpenzuar 3 miliard dollarë të asistencës së BE-së. Kemi krijuar vende pune, po e ndihmojmë ekonominë e vendit dhe po bëjmë gjithçka që qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë.
Në të njëjtën kohë, i thashë kryeministrit se tash që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është nënshkruar, puna e vështirë fillon tani. Puna do të jetë shumë intensive. Bashkimi Evropian, Zyra e BE-së dhe PPBE do të ju qëndrojnë pranë për t’ju përkrahur në këtë rrugëtim shumë sfidues.
I theksova Kryeministrit që duam ta sjellim MSA-në më afër njerëzve. Për këtë ne kemi krijuar një instrument të ri të quajtur Agjenda Evropiane e Reformës. Shumë shpejt, do të kemi vizita në Kosovë nga Drejtori i Përgjithshëm Danielsson dhe Komisioneri Hahn për të shpjeguar iniciativat konkrete që rrjedhin nga kjo Agjendë e Reformave në mënyrë që të paraqesin idenë evropiane te qytetarët.
I thashë gjithashtu Kryeministrit që jemi të interesuar për zhvillimin e institucioneve në Kosovë dhe në këtë kontekst sidomos shtyllën e qeverisjes së mirë. I kërkova Kryeministrit të na njoftojë me masat konkrete që Qeveria po ndërmerr në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, sepse kjo është diçka ku Kosova ka hapësirë për përmirësim. Ne jemi këtu për ta ndihmuar Qeverinë në këtë përpjekje.
Folëm edhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili është shumë i rëndësishëm. Siç tha edhe kryeministri, ne jemi të interesuar shumë për intensifikimin e tij.
U pajtuam me Kryeministrin që të kemi takime të rregullta në mënyrë që zyrat tona të gjejnë mënyrat për të avancuar më tej agjendën evropiane të Kosovës.
Për liberalizimin e vizave, theksova se BE-ja është shumë e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është për Kosovën. Ne po punojmë shumë me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare për këtë çështje. Por, Kosova duhet gjithashtu të veprojë sa i përket demarkacionit të kufirit si dhe luftës kundër korrupsionit. Do të ndihmojnë Kryeministrin dhe Qeverinë në këtë përpjekje gjithashtu.
Si PPBE, kam theksuar se të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, shoqëria civile, të drejtat e grave dhe fëmijëve do të jenë prioriteti im. Unë do të punojë ngushtë me Kryeministrin dhe zyrën e tij në këto çështje, si dhe në luftën kundër terrorizmit i cili është një kërcënim për të gjithë ne.
E falënderoj shumë Kryeministrin për këtë vizitë të parë dhe pres që të kemi një bashkëpunim të dobishëm në të ardhmen.

Last modified: 13 Shtator, 2016

Comments are closed.

×