Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Isa Mustafa priti kryetarin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio

16 Tetor, 2015

Prishtinë, 16 tetor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryetarin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio.
 
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e informoi për progresin në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, sundim të rendit dhe ligjit dhe avancimin e proceseve tjera integruese euroatlantike.
 
Kryeministri Isa Mustafa theksoi përkrahjen e parezervë të Qeverisë së Kosovës për pavarësinë e plotë në vendimmarrje të sistemit gjyqësor në tërësi, dhe Gjykatës Kushtetuese, si gardian i kushtetutshmërisë në Republikën e Kosovës, në veçanti.
 
Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu rëndësinë që ka për Kosovën anëtarësimi në Komisionin e Venecias dhe angazhimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale.
 
Kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e Komisionit të Venecias për proceset në Kosovë.

Ai po ashtu shprehu përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryetari Gianni Buquicchio vlerësoi lartë rolin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të përkrahur avancimin e mëtejshëm të demokracisë në Kosovë dhe mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
 

Last modified: 16 Tetor, 2015

Comments are closed.

×