Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Isa Mustafa njofton pensionistët për rritjen e pensioneve nga 1 janari 2016

23 Tetor, 2015

Prishtinë, 23 tetor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim drejtuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Shaban Kajtazi, sekretari Hasan Berisha, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prishtinë, Shaip Vitija, dhe Mybera Kasumi, kryetare e Gruas Pensioniste të Kosovës.
 
Në takim, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, kryeministri Mustafa bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka siguruar 23 milionë euro shtesë për pensionet, me të cilat prej 1 janarit të vitit 2016, do të bëhet rritja e pensioneve për pensionistët kontributdhënës në Republikën e Kosovës.

“Pas një pune intensive që është bërë nga Qeveria dhe ministritë përkatëse, menaxhimit të mirë të mjeteve financiare, si dhe rritjes së përkushtimit për avancimin e politikave që i prekin këto kategori, është arritur që të sigurohen këto mjete, me të cilat do të bëhet rritja e pensioneve përkatëse”, theksoi kryeministri Isa Mustafa, duke bërë të ditur se në këtë drejtim janë bërë edhe konsultat e nevojshme me FMN-në.
 
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu ka bërë të ditur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe ministri Abrashi do të punojnë maksimalisht, në mënyrë që deri në fund të nëntorit të kryhen të gjitha proceduarat dhe që më pas të bëhet edhe kategorizimi dhe që, duke filluar nga 1 janari, gjithçka të jetë gati dhe të fillohet implementimi i rritjes përkatëse.
 
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve të Kosovës, e ka falënderuar kryeministrin Isa Mustafa për këtë lajm shumë pozitiv për sigurimin e mjeteve nga ana e Qeverisë për rritjen e pensioneve, por edhe për angazhimin e vazhdueshëm për përmirësimin e kushteve të tjera për pensionistët.
 
Duke vlerësuar mbështetjen që po jep Qeveria e Kosovës për pensionistët e të gjitha kategorive, përfaqësuesit e pensionistëve kosovarë kërkuan shqyrtimin e mundësisë që të mbulohen shpenzimet edhe për qendrat komunale të pensionistëve nëpër Kosovë, ku mblidhen dhe kalojnë një pjesë të kohës pensionistët kosovarë.
 
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka premtuar se do të shqyrtojë mundësitë për të ofruar përkrahje konkrete edhe për qendrat komunale të pensionistëve.

Last modified: 23 Tetor, 2015

Comments are closed.

×