Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Isa Mustafa: Kosova, e gatshme të jetë anëtare e UNESCO-s

4 Nëntor, 2015

Prishtinë, 4 nëntor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një konferencë për medie të mbajtur të martën në Prishtinë, kanë theksuar se Kosova duhet dhe e meriton të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), sepse ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate.

Duke prezantuar aspektet arsimore dhe shkencore të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Kosova, ka çka t’i ofroj UNESCO-s dhe ka çka të merr nga ajo. “Kosova mund të dëshmoj më së miri se etja dhe nevoja për arsim dhe shkencë e ka mundur okupimin klasik të popullit tonë. Kosova ka arritur për një dekadë (nga viti 1990 deri më 1999) të organizojë arsimin shqip edhe përkundër asaj se regjimi pushtues serb i pati larguar nxënësit dhe arsimtarët dhe punonjësit e arsimit nga shkollat e tyre”, u shpreh kryeministri, duke thënë se Serbia nuk mori mend nga ajo që bëri me diskriminimin e popullit të Kosovës, nuk u vetëdijesua nga veprimet e saj dhe të forcave të saj ushtarake dhe paramilitare, të cilat organizuan dhe ekzekutuan eksodin e mbi një milion qytetarëve nga Kosova dhe sot po tenton të loboj anembanë globit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Serbia nuk kërkon asgjë më pak, se sa diskriminimin e qytetarëve tanë, diskriminimin e qytetarëve të një vendi të pavarur dhe jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës, por të gjithëve edhe të serbëve, të turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjëve, egjiptasve, sepse ata janë qytetarë tanë, të cilët, së bashku me ne kanë dëshirë të jenë pjesë e një agjencioni të Kombeve të Bashkuara. Serbia, siç po shihet, në emër të Kishës Ortodokse Serbe, të cilës ne ia kemi dhënë të gjitha garancitë e veprimit të plotë dhe të ruajtjes së identitetit tonë të plotë në vendin tonë, po tenton të pamundësojë që edhe trashëgimitë tjera fetare, myslimane, katolike, protestante, hebraike, të jenë pjesë e vlerave universale botërore. Të gjitha këto bashkësi e kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë dhënë zotimin e tyre që dëshirojnë të jenë anëtare të UNESCO-s”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s, sepse ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate, vlera të kulturës, arsimit, shkencës, komunikimit, të orientuara në ndërtimin e paqes dhe barazisë ndërmjet njerëzve, të bashkëpunimit, të dialogut ndërkulturor, në përgjithësi.

“Kosova ka një popullatë të re, të etur për dije dhe për njohuri kulturore dhe për lidhje me botën. Janë këta të  rinj të talentuar, janë shkencëtarët tanë që do të mund t’i kontribuojnë dijes globale, dhe të jenë pjesë e zhvillimeve shoqërore dhe të dijeve botërore”, tha kryeministri, duke shtuar se Kosova zotohet se do te përmbush të gjitha kriteret dhe përgjegjësitë që dalin me rastin e anëtarësimit në UNESCO, duke qenë anëtar i dobishëm për organizatën, dhe për zhvillimet botërore.

 

Fjalët e plota të kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit Arsim Bajrami në konferencë:

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa.

Jemi sot këtu, së bashku me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami,  që bashkërisht t’i prezantojmë aspektet arsimore dhe shkencore të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, por poashtu, të prezantojmë edhe ambientin tonë kosovar që është i gatshëm që jo vetëm të konkurroj por edhe të bëhet pjesë shumë aktive e UNESCO-s.

Ju e dini që në Paris, tani po mbahet Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, dhe pritet që në fillim të javës së ardhshme të vendoset  për anëtarësimin e Kosovës. Është e njohur poashtu se para pak ditësh, Bordi Ekzekutiv ka miratuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Ndërkaq, ajo që është shumë me rëndësi është që Kosova është e gatshme, Kosova meriton dhe Kosova duhet  të jetë anëtare e UNESCO-s.

Kosova, ka çka t’i ofroj UNESCO-s edhe në pikëpamje të kaluarës së saj dhe Kosova mund të dëshmoj më së miri se etja dhe nevoja për arsim dhe shkencë e ka mundur okupimin klasik të popullit tonë. Kosova ka arritur për një dekadë (nga viti 1990 deri më 1999) të organizojë arsimin shqip edhe përkundër asaj se regjimi pushtues serb i pati larguar nxënësit dhe arsimtarët dhe punonjësit e arsimit nga shkollat e tyre. Ata e bënë këtë në shtëpi private dhe sot shumë nga ata që u arsimuan në këto kushte, sot janë në ekspertët tanë, profesorët tanë, doktorët e shkencave, janë biznesmenët dhe janë poashtu ata që po lobojnë sot që Kosova  të anëtarësohet në UNESCO. Dhe kjo për neve nuk është fare për t’u habitur, sepse qytetarët dhe populli ynë i cili luftoi të mbijetojë dhe arriti të mbijetojë. Por, na habit fakti se Serbia nuk mori mend nga ajo që bëri me diskriminimin e popullit tonë, nuk u vetëdijesua nga veprimet e saj dhe të forcave të saj ushtarake dhe paramilitare, të cilat organizuan dhe ekzekutuan eksodin e mbi një milion banorëve dhe qytetarëve nga Kosova dhe ajo sot po i jep të drejtë që të tentoj të loboj anembanë globit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Dhe kështu, Serbia nuk kërkon asgjë më pak, se sa diskriminimin e qytetarëve tanë, diskriminimin e qytetarëve të një vendi të pavarur dhe jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës, por të gjithëve edhe të serbëve, të turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjëve, egjiptasve, sepse ata janë qytetarë tanë, të cilët, së bashku me ne kanë dëshirë të jenë pjesë e një agjencioni të Kombeve të Bashkuara. Serbia, siç po shihet, në emër të Kishës Ortodokse Serbe, të cilës ne ia kemi dhënë të gjitha garancitë e veprimit të plotë dhe të ruajtjes së identitetit tonë të plotë në vendin tonë, po tenton të pamundësojë që edhe trashëgimitë tjera fetare, myslimane, katolike, protestante, hebraike, të jenë pjesë e vlerave universale botërore. Të gjitha këto bashkësi e kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë dhënë zotimin e tyre që dëshirojnë të jenë anëtare të UNESCO-s.

Unë konsideroj që Serbia ka nevojë të vetëdijesohet. Se një shtet që nuk është i vetëdijshëm për veprat dhe krimet e tij në të kaluarën, nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e shtetit tjetër, për fatin e njerëzve që kërkojnë dije, që kërkojnë paqe dhe që kërkojnë siguri dhe këta njerëz janë njerëzit e Kosovës, është Kosova jonë.

Një prej arsyeve madhore, pse Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s, është sepse ajo ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate. Janë këto vlera të kulturës, arsimit, shkencës, komunikimit, të orientuara në ndërtimin e paqes dhe barazisë ndërmjet njerëzve, të bashkëpunimit, të dialogut ndërkulturor, në përgjithësi.

Kosova ka një popullatë të re, të etur për dije dhe për njohuri kulturore dhe për lidhje me botën. Janë këta të  rinj të talentuar, janë shkencëtarët tanë që do të mund t’i kontribuojnë dijes globale, dhe të jenë pjesë e zhvillimeve shoqërore dhe të dijeve botërore.

Kosova beson fuqishëm se  arsimi dhe shkenca kanë rol thelbësor në zhvillimin njerëzor, social, dhe ekonomik, dhe këto fusha janë shtytëse themelore të zhvillimit tonë dhe të zgjidhjes së problemeve me të cilat ne po ballafaqohemi tani, të varfërisë, papunësisë, dhe të rritjes së mirëqenies.

Prandaj, Kosova ka nevojë të jetë në UNESCO sepse ka nevojë për partneritet për ta bërë arsimin dhe shkencën më efektive, që ato të përballohen me sfidat e kohës. Kjo neve do të na mundëson që  të ndërtojmë ekonomi të dijes, ekonomi të mençur të bazuar në inovacione, që do të ndihmonte në krijimin e një tregu të punës e cila do të përballonte papunësinë dhe do të rriste mirëqenien dhe rritja e mirëqenies, do të ndikonte në rritje të paqes dhe rritje të sigurisë në këtë pjesë të botës.

Ne jemi zotuar dhe zotohemi se do te përmbushim të gjitha kriteret dhe të gjitha përgjegjësitë që dalin me rastin e anëtarësimit tonë në UNESCO, duke qenë anëtar i dobishëm për organizatën, dhe për zhvillimet botërore.

Duke falënderuar të gjithë ata që na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë në këtë  proces, duke falënderuar miqtë tanë, shtetet që na kanë njohur, plotësisht besoj që anëtarët e UNESCO-s të cilët respektojnë vlerat e kësaj organizate, respektojnë edhe synimet tona që vendi ynë ka për dije ka për paqe dhe prosperitet.

 

Fjala e ministrit Arsim Bajrami.

Fillimisht, dëshiroj të falënderoj të gjitha vendet që e kanë përkrahur dhe po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e konsideron si çështje të një rëndësie të jashtëzakonshme procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke pasur parasysh standardet që imponon kjo organizatë, programet konkrete dhe përfitimet që do të ketë sistemi arsimor në Kosovë.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, me gjysmën e qytetarëve të saj nën moshën 25 vjeçare. Potenciali ynë në të ardhmen e afërt është i madh dhe e vetmja mënyrë për ta kapitalizuar këtë mundësi është duke bërë prioritet arsimin dhe shkencën. Të dyja këto shtylla kryesore të zhvillimit, janë të përfshira në strategjinë afatgjatë të zhvillimit të Kosovës.

Ne kemi arritur përparim të madh prej vitit 1999, ku lufta rrënoi kapacitetin tonë për t’u siguruar të rinjve arsim. Mbi 80% e shkollave në Kosovë ishin të dëmtuara. Nevoja kryesore ishte rindërtimi i infrastrukturës dhe, me angazhimin e Qeverisë së Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të donatorëve, ne ishim në gjendje të ndërtojmë apo rinovojmë rreth 230 shkolla, duke u siguruar fëmijëve qasje dhe gjithëpërfshirje.

Kosova ka arritur shkallë të lartë të përfshirjes në arsimin parauniversitar, të krahasueshme me praktikat evropiane. Qëllimi kryesor në strategjinë tonë arsimore është që t’u mundësojmë të gjithë fëmijëve, veçanërisht grupeve të margjinalizuara, të kenë qasje të lirë në arsim. Prandaj, e kemi bërë arsimin fillor dhe të mesëm falas dhe të detyrueshëm për të gjithë fëmijët nga mosha 6 deri 15 vjeç.

Ne çmojmë faktin se Kosova është një shtet dhe shoqëri multietnike dhe me qëllim të përfshirjes së të gjithëve, mësimi në shkollat fillore është i disponueshëm në pesë gjuhë: shqip, serbisht, boshnjake, turke dhe kroate. Për fëmijët me nevoja të veçanta, kemi krijuar edhe shkolla dhe klasa të arsimit special.

Sot, 98% e fëmijëve të moshës së shkollës fillore dhe 82% e moshës së shkollës së mesme vijojnë edukimin. Shkrim-leximi në mesin e moshës 15-24 vjeçare është 98%, krahasuar me një normë 92% për popullsinë të tërësi. Duke pas parasysh gjendjen në të kaluarën, kur më shumë se 80% e popullsisë ishte analfabetë, gjendja e tanishme paraqet një përparim të jashtëzakonshëm.

Aktualisht, fushat me suksesin më të lartë për shkollën e mesme të ulët janë gjuha angleze dhe shkencat kompjuterike. Kjo nuk është befasi, duke pasur parasysh se më shumë se 85% e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në Internet dhe të rinjtë tanë janë njohës të mirë të teknologjisë së informacionit.

Gjithashtu, viti 2015 shënon herën e parë që Kosova është përfshirë në testin ndërkombëtar PISA, i cili u administrua në shkollat e Kosovës.

Më vitet e fundit është rritur paga për mësimdhënësit dhe kjo ka krijuar parakushte për tërheqje të mësimdhënësve të kualifikuar dhe rritjen e kërkesës dhe llogaridhënies. Paga e mësimdhënësve është mbi nivelin e të ardhurave vjetore për kokë banori, praktikë e krahasueshme me vendet e avancuara dhe mbi mesataren rajonale.

Është rritur përfshirja në arsimin e lartë në vitet e fundit dhe shifrat aktuale e rendisin Kosovën në mesin e vendeve rajonale me më së shumti studentë në 100.000 banorë.

Pasi që po synojmë të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane, është kyçe për të rinjtë tanë që sistemi ynë i arsimit të ketë krahasueshmëri ndërkombëtare të kualifikimeve dhe arritjeve. Sistemi i arsimit të lartë tashmë është përshtatur për t’u përputhur me kualifikimet e procesit të Bolonjës. Sistemi Evropian i Transferimit të Kredive (ECTS) është duke u përdorur gjerësisht nga institucionet dhe programet në Kosovë, krahas pjesëmarrjes tonë në bashkëpunim arsimor dhe programe të mobilitetit.

Përfitimet nga UNESCO

Në rrafshin praktik, në shkencë, kulturë dhe arsim, UNESCO mbulon mbi 70 programe të ndryshme, në të cilën Kosova do të mund të merrte pjesë, që në vitin e parë pas anëtarësimit në UNESCO. Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi që nga fillet e edukimit të ulët, edukimit të lartë dhe në institucione shkencore.

Kosova deri më sot ka humb mundësinë për të përfituar miliona dollarë asistencë nga Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit, i cili punon në të dhënat e ofruara nga Instituti i Statistikave të UNESCO-s, i cili as sot nuk mbledh të dhëna në Kosovë.

Në këtë pikë të zhvillimit tonë, bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për avancimin e arsimit tonë si një forcë konkurruese në shekullin e 21-të.

Qasja në programet e UNESCO-s do të ndihmojë Kosovën në fushat në nevojë kritike për përmirësime të tilla, siç është cilësia e kurrikulave, trajnimi i mësimdhënësve, përdorimi i teknologjisë si dhe kërkimi shkencor e akademik. Këto probleme mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet shkëmbimit të lirë dhe të hapur të ideve, si dhe ndarjes ndërkombëtare të burimeve. Duke pasur parasysh mundësi për të forcuar lidhjet intelektuale dhe qytetare me gjithë botën, sistemi i arsimit mund të vazhdojë të përparojë.

Kosova ka nevojë për reforma dhe ndihmë në arsim, dhe UNESCO është ajo që merret me çështjen e reformave, standardizimin dhe shkëmbimin e programeve arsimore.

Kosova ka rreth gjysmë milion persona që janë brenda zinxhirit arsimor, që nga institucionet parashkollore e deri në arsimimin e lartë universitar. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, ofron mundësitë e bashkëpunimit për gjithë këtë zinxhir me vendet tjera, dhe është një shtytje për të krijuar një standard të krahasueshëm. Bashkëpunimi është i larmishëm dhe i paskajshëm, që nga fillet e edukimit, do të thotë, nga edukimi parashkollor, edukimi fillor, edukimi i mesëm, arsimi i lartë, e deri te kërkimi shkencor.

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ndihmojë Kosovën në formulimin dhe zbatimin e politikave arsimore, duke përforcuar kapacitetet edukative dhe ato shkencore. Aktualisht, Kosova ka gjithashtu një nevojë në rritje për një gamë të gjerë të politikave relevante të statistikave të besueshme, kryesisht në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë. Mungesa e statistikave të verifikuara nga UNESCO në këto fusha, e bën shumë të vështirë për institucionet qeveritare dhe akademike në Kosovë të sigurojnë analizat krahasuese të domosdoshme për reformat arsimore.

UNESCO brenda strukturës së vet përfshin gjashtë institute që merren me fushën e arsimit dhe shkencës, dhe dy qendra të specializuara për arsim, të cilat ofrojnë qasje në qindra programe, konventa, shkëmbime dhe projekte në UNESCO në fushat e arsimit dhe shkencës.

Ne kërkojmë dhe angazhohemi të sigurojmë një arsim plotësisht modern dhe cilësor për të gjithë të rinjtë tanë.

Anëtarësimi në UNESCO do të na lejojë dhe lehtësojë të arrijmë këto objektiva.

Last modified: 4 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×