Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi u takua me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Saud Bin Fejsal

15 Qershor, 2012

Jedda, 15 qershor 2012

 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli u takua me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Saud Bin Fejsal dhe zëvendësministrin e Jashtëm Abdulaziz Ibn Abdullah Abdulaziz.

Në takim u bisedua gjerësisht për pozitën diplomatike të Kosovës, për kontributin e Arabisë Saudite gjatë dhe pas luftës. Kryeministri i Republikës së Kosovës kërkoi që Arabia Saudite të ushtrojë ndikimin e saj në vendet  e botës arabe që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në vijim të takimit Kryeministri Thaçi elaboroi profilin e propagandës diplomatike të Beogradit zyrtar, që në kohën e luftës, shqiptarët i akuzonte për fundamentalizëm, ndërsa sot krenohet me vendet e botës islamike që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Thaçi kërkoi që diplomacia e mbretërisë së Arabisë Saudite të ushtrojë ndikim tek qeveritë e Jemenit, Libanit,  Egjiptit dhe Sudanit, që ta njohin sa më parë shtetin e Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, foli për aspektin e sigurisë dhe të stabilitetit që ka krijuar pavarësia e Kosovës, duke nënvizuar idenë se Kosova është përcaktuar nga e ardhmja dhe jo e kaluara.

Kryeministri Thaçi foli për stabilitetin politik, infrastrukturën ligjore dhe potencialet e Kosovës si vend atraktiv për investime për Arabinë Saudite.
 

Last modified: 15 Qershor, 2012

Comments are closed.

×