Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith

22 Shkurt, 2008

Prishtinë, 22 shkurt 2008
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim pune sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, me ç’rast kanë diskutuar për zhvillimet e ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.
 
Z. Thaçi dhe z. Feith janë pajtuar që të ketë angazhim serioz dhe përkushtim të përbashkët për ndërmarrjen e hapave të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë, të cilat hyjnë në funksion të zbatimit të kritereve demokratike. 
 
Kryeministri Thaçi ka nënvizuar me këtë rast se ekziston pajtim i plotë që integriteti territorial i Kosovës është i mbrojtur, i garantuar, i pacenueshëm, unik e i pandashëm, duke shtuar se do të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë me këshillime dhe ndihmë të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën.
 
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith, është shprehur për një angazhim të përbashkët edhe me KFOR-in, për të ruajtur sigurinë, paqen dhe stabilitetin në çdo pjesë të Kosovës. Z. Feith ka ripërsëritur qëndrimin se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë do të shtrihet dhe do të funksionojë në tërë territorin e Kosovës.  

Last modified: 22 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×