Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Javier Solana

19 Shkurt, 2008

Prishtinë, 19 shkurt 2008

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takim e sotëm me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Javier Solana, ka biseduar për realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në takim merrnin pjesë edhe Përfaqësuesi Special i sapoemëruar i BE-së në Kosovë, Piter Feith dhe kryesuesi i EULEX-it, Iv de Kermabo.

Kryeministri Thaçi ka rikonfirmuar zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të institucioneve dhe të popullit të Kosovës, për Kosovën demokratike, unike e të pandashme, si dhe për Kosovën shumetnike, që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët e saj. Kryeministri është zotuar për një angazhim edhe më të madh për afirmimin, në kuptimin më pozitiv të pozitës së minoriteteve, para së gjithash të serbëve në Kosovën e pavarur. “Institucionet e Kosovës, tanimë, kanë filluar zbatimin e Dokumentit të presidentit Ahtisari. Do të vazhdojmë me përkushtimin më të madh që ky përcaktim yni, kjo përgjegjësi jona e re, në Kosovën e re, të jetë edhe përcaktim yni për bashkëpunimin e ngushtë edhe me misionin e ri të BE-së në Kosovë”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Thaçi, ka falënderuar shefin e diplomacisë së BE-së, Solana, për kontributin e dhënë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, për krijimin e realitet të ri dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Përfaqësues i Lartë për Siguri dhe Politike të Jashtme i Bashkimit Evropian, Javier Solana, ka vlerësuar se është shumë i kënaqur që është në Kosovë për të përfaqësuar BE-në, e cila ka pasur marrëdhënie të mira me Kosovën dhe popullin e saj në të kaluarën, gjë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Z. Solana ka theksuar në takim me z.Thaçi se gëzimin dhe energjitë që kam parë këto ditë në rrugët e Kosovës, do të transformohen në energji pozitive për zhvillimin e shoqërisë dhe në mbrojtjen e  lirive dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, që jetojnë në vend, si dhe në fushën e  ekonomisë, të sigurisë dhe të tjera, duke shtuar më tej se BE-ja do të jetë e pranishme këtu, perspektiva evropiane është këtu dhe njerëzit tonë do të bashkëpunojnë me institucionet kosovare për sundimin e ligjit dhe për zhvillimin ekonomik. 

Last modified: 19 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×