Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot një delegacion të parlamentarëve gjermanë, të kryesuar nga Peter Weiß (CDU /CSU)

1 Qershor, 2012

Prishtinë, 1 qershor 2012
 
Temë bosht e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me delegacionin e parlamentarëve gjermanë, të kryesuar nga Peter Weiß (CDU /CSU) ishte aktualiteti politik në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimi ndërshtetëror Kosovë-Gjermani, si dhe përkushtimet institucionale të Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit.
 
Kryeministri Thaçi në takim potencoi punën që është duke e bërë Qeveria e Republikës së Kosovës në thellimin e reformave në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Tani jemi në fazën përmbyllëse të mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës, prandaj angazhimet tona si qeveri dhe si institucione të Kosovës vetëm sa do të rriten në drejtim të forcimit dhe konsolidimit të mëtejmë të shtetit demokratik të Kosovës – theksoi kryeministri Thaçi.
 
Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë-Gjermani, si dhe rolin që ka treguar Republika e Gjermanisë në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe tani në mbështetje të  zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit të Kosovës, Kryeministri Thaçi theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes shtetërore gjermane në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
 
Vendimi i Bashkimit Evropian për lansimin e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën është një lajm i mirë dhe i shumëpritur, edhe pse dihet tashmë botërisht se është një lajm i vonuar. Tani po fillon një etape e re e rikonfirmimit të perspektivës evropiane të Kosovës. Të gjitha obligimet që dalin nga ky proces, Qeveria e Kosovës do t’i trajtojë me seriozitet, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në BE – theksoi Kryeministri Thaçi.
 
Z. Peter Weiß (CDU /CSU) në emër të delegacionit të parlamentarëve gjermanë rikonfirmoi mbështetjen gjermane për shtetin demokratik të Kosovës dhe për procesin integrues në BE dhe në NATO.

Lansimi i Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është një lajm i mirë dhe pozitiv, dhe besoj që institucionet e Kosovës në afatin më të shpejtë të mundshëm do t’i përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet që dalin nga ky udhërrëfyes – u shpreh z.Weiß në takimin me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Last modified: 1 Qershor, 2012

Comments are closed.

×