Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ish-kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Janez Janša

4 Shkurt, 2011

Prishtinë, 4 shkurt 2011
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ish-kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, liderin e Partisë Demokratike të Sllovenisë, Janez Janša.
 
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, me theks të veçantë për thellimin e raporteve të shkëlqyera të Republikës së Kosovës me Republikën e Sllovenisë.
 
Kryeministri Hashim Thaçi e ka njoftuar ish-kryeministrin slloven, Janez Janša me përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për përmbushjen e të gjitha standardeve demokratike për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Z.Thaçi në takim ka ritheksuar se mandati i kabinetit të ri qeveritar do jetë mandati i Kosovës evropiane, i realizimit të plotë të agjendës evropiane nga institucionet e Republikës së Kosovës.
 
Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi ka theksuar se përvoja e suksesshme e Republikës së Sllovenisë në procesin e integrimeve euro-atlantike është e rëndësishme për rrugën integruese të Republikës së Kosovës.
 
Në takim, kryeministri Thaçi falënderoi ish-kryeministrin Janša për kontributin e Republikës së Sllovenisë dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në procesin e lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës.
 
Nga ana e tij, ish-kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Janša ka falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt dhe miqësore dhe ka theksuar se Republika e Kosovës e ka të sigurtë perspektivën integruese evropiane dhe në këtë rrugë do të vazhdojë ta ketë mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Sllovenisë.
 

Last modified: 4 Shkurt, 2011

Comments are closed.

×