Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Hido Bishçeviç

1 Qershor, 2012

Prishtinë, 1 qershor 2012
 
Në takimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Hido Bishçeviç ishin zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.
 
Kryeministri Thaçi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e qeverisjes së mirë, efikase dhe transparente, sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe punën që është duke u bërë në implementimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve.
 
Republika e Kosovës edhe pak muaj po përmbyllë fazën e mbikqyrjes së pavarësisë së saj. Po hapet një kapitull i ri i funksionimit demokratik të shtetit të Kosovës. Në këto angazhime insitucionale, thellimi i bashkëpunimit rajonal është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që dëshmon edhe njëherë përcaktimin tonë strategjik për integrime evropiane dhe euroatlantike – u shpreh kryeministri Thaçi.
 
Kryeministri Thaçi në takim ka thënë që marrëveshja e arritur në Bruksel për përfaqësimin rajonal të Kosovës duhet të konsiderohet një moment pozitiv për gjithë rajonin në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
 
Kryeminstri Hashim Thaçi ka njoftuar se pas marrëveshjes së arritur në Bruksel, roli i UNMIK-ut në përfaqësimin e Kosovës ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe sovran, që përfaqësohet nge institucionet e veta – ka theksuar z.Thaçi.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Hido Bishçeviç, e informoi Kryeministrin Thaçi lidhur me aktivitetet e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe për mundësinë e përfitimit më të madh të rajonit përmes bashkëpunimit më të mirë rajonal.
 
Z.Bishçeviç vlerësoi lartë përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit rajonal, si një nga parakushtet kryesore për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit.

Last modified: 1 Qershor, 2012

Comments are closed.

×