Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Japonisë, Naoto Kan

12 Mars, 2011

Prishtinë, 12 mars 2011

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Japonisë, Naoto Kan, me rastin e tërmetit që ndodhi në Japoni, ku humbën jetën mijëra qytetarë.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet:

I nderuari kryeministër Kan,

Me dhimbje të madhe mora lajmin për fatkeqësinë natyrore, që përfshiu vendin tuaj këto ditë, ku humbën jetën shumë qytetarë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, juve, qeverisë tuaj, popullit japonez dhe familjarëve të viktimave të tërmetit, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe populli i Kosovës në këto momente të vështira do të jetë pranë qeverisë dhe popullit japonez, me gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet.

Dua të theksoj gjithashtu se Qeveria e Republikës së Kosovës është dhe do të vazhdojë të jetë përherë mirënjohëse për mbështetjen e gjithanshme që Japonia i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësisë dhe zhvillimit të saj.

 
Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 12 Mars, 2011

Comments are closed.

×