Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, priti në takim rektorin e Universitetit të Prishtinës, z. Enver Hasani

31 Janar, 2008

Prishtinë, 31 janar 2008
 
Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z. Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim rektorin e Universitetit të Prishtinës, z. Enver Hasani.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se një nga zotimet kryesore të tij dhe të Qeverisë që udhëheqë, është investimi në edukim. Z. Thaçi ka lavdëruar punën e rektorit Hasani duke i premtuar mbështetje të plotë në procesin e reformave në Universitetin e Prishtinës. “Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin në mbështetje të reformave dhe avancimin e proceseve tjera në sistemin edukativ- arsimor“, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës dhe posaçërisht Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të ndihmojë që sistemi i arsimit të lartë të reformohet dhe avancohet sipas standardeve të universiteteve moderne botërore.

Rektori i UP-së, z. Enver Hasani, ka falënderuar kryeministrin Thaçi për përkrahjen dhe mbështetjen e potencuar për Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Z. Hasani ka thënë se është jashtëzakonisht i kënaqur me bashkëpunimin e ofruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Rektori Hasani ka veçuar operacionalizimin e  Agjencisë së Akreditimit, e cila, sipas tij, do ta disiplinojë dukshëm sistemin e arsimit në Kosovë.

Rektori Hasani është shprehur i kënaqur me gatishmërinë e Qeverisë për të përmirësuar infrastrukturën në fushën e arsimit, edukimit dhe thellimin e reformave, që tani janë duke u zhvilluar në Universitetin e Prishtinës.

Last modified: 31 Janar, 2008

Comments are closed.

×