Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi takon në një drekë pune ministrin britanik për Evropë, David Lidington

24 Qershor, 2010

Prishtinë, 24 qershor 2010
 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një drekë pune u takua me ministrin britanik për Evropë, David Lidington.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike dhe për tema tjera me interes.
 

Duke falënderuar ministrin Lidington për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Britanisë së Madhe për Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për perspektivën evropiane, qeverisjen e mirë, zhvillimin ekonomik, luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 

Duke mos paragjykuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kryeministri Thaçi u shpreh se për Kosovën do të hapet perspektivë e re për njohje dhe integrim ndërkombëtar.
 

Kryeministri Hashim Thaçi nënvizoi që Kosova po i kryen obligimet e veta në lidhje me reformat e domosdoshme për integrim evropian dhe pret që dialogu për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare dhe dialogu për stabilizim asociim të ecin me shpejtësi gjatë këtij viti.
 

Ministri britanik për Evropë, David Lidington nga ana e tij shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë britanike dhe të Kryeministrit David Cameron për pavarësinë, integritetin territorial dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. Ministri britanik për Evropë ia dorëzoi Kryeministrit Thaçi një letër adresuar atij nga ana e Kryeministrit David Cameron, në të cilën, midis tjerash thuhet:
 

“I nderuari Kryeministër, Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e fuqishme e zhvillimit të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, i përparuar dhe shumetnik dhe do të punojë ngushtë në mbështetje të aspiratave të Kosovës për integrimet euroatlantike. I gëzohem forcimit të mëtejshëm të traditës së fuqishme të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës”.

Last modified: 24 Qershor, 2010

Comments are closed.

×