Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith

20 Shkurt, 2008

Prishtinë, 20 shkurt 2008

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka uruar mirëseardhje Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, në detyrën e udhëheqësit të misionit të ri të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ka shprehur zotimin për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit në fushat përkatëse.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me shefin e misionit të Bashkimit Evropian , e më vonë do të vazhdojë bashkëpunimi me të edhe si shef i misionit civil ndërkombëtar në Kosovë. “Bashkëpunimi do të jetë në funksion të ndërtimit të tolerancës ndëretnike, zhvillimit ekonomik të Kosovës, ndërtimit të rendit demokratik, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, pengimit të dukurive negative, zbatimit të të gjitha kritereve demokratike dhe në funksion të hapjes së perspektivës integruese për Kosovën në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO”, ka thënë z.Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar rolin e ri të pranisë ndërkombëtare në Kosovë si rol mbikëqyrës dhe këshillëdhënës, duke shtuar se në këtë drejtim do të jetë i orientuar edhe bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe angazhimet institucionale për realizimin e prioriteteve të përbashkëta.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ka theksuar se ka pasur nderin që të punojë në Kosovë gjatë viteve 1999-2001, por kjo ka qenë në një kapacitet tjetër. Z.Feith ka pohuar se tashmë jemi të vendosur që të vazhdojmë punën drejt pajtimit, tolerancës dhe respektit ndaj vlerave të komuniteteve, ashtu siç i kemi ato në Bashkimin Evropian. “Misioni ynë është i inkurajuar që të vazhdojë punën në fushën e legjislacionit dhe kushtetutës. Ne do t’i japim prioritet ringjalljes së ekonomisë, sigurisë së gjithë qytetarëve dhe komunitetit serb. Pra, ne do të ndihmojmë njerëzit që të ndihen sa më afër institucioneve evropiane. Të gjitha këto çështje ne jemi të vendosur që t’i çojmë përpara”, ka thënë kreu i misionit të BE-së, Pieter Feith.

Ndërkaq, duke folur rreth situatës në pjesën veriore të Mitrovicës, z. Feith, ka ripërsëritur atë që ka thënë dje z.Javier Solana, se BE-ja është e përkushtuar për të vendosur në të gjitha pjesët e Kosovës përfshirë edhe pjesën veriore misionin e saj dhe kjo do të ndodhë gjatë periudhës së ardhshme katërmuajshe. “Siç dihet ne kemi një periudhë tranzicioni dhe së bashku me Kombet e Bashkuara edhe NATO-n do të kemi kontrollin operacional.

Po kështu duke iu përgjigjur një pyetjeje, z. Pieter Feith, ka thënë se Administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-un) do ta zëvendësojë Qeveria e vendit dhe jo misioni i Bashkimit Evropian.

 

Last modified: 20 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×