Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Stavros Lambrinidis

8 Shtator, 2011

Prishtinë, 8 shtator 2011
 
Kryeministri i Qeverisës së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka prit në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë me të cilin ka biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Greqisë.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë angazhimin aktiv dhe dinamik të Greqisë për zhvillimet, për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin fqinjësor në rajon. Kjo është shfaqur, ka theksuar kryeministri Thaçi, përmes vizionit të kryeministrit grek Papandreu për perspektivën evropiane për të gjithë rajonin dhe në këtë kontekst edhe për perspektivën evropiane te Kosovës.
 
Në takim është vlerësuar edhe bashkëpunimin i mirë bilateral, në mes të Kosovës dhe Greqisë, në aspektin diplomatik, ekonomik, kulturor dhe atë të edukimit. “Ne kemi një prezencë të theksuar të biznesit grek në Kosovë, që është një sukses i jashtëzakonshëm. Ne duam të theksojmë se komuniteti i biznesit grek është i mirëpritur në Kosovë për të investuar”, ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se “Kosova është një shtet i ri, por i mundësive të mëdha”.
 
Kryeministri Hashim Thaçi e ka njohur ministrin grek edhe me të arriturat e Kosovës në reformat ekonomike, politike dhe demokratike, të cilat po i hapin rrugën e sigurt perspektivës evropiane të Kosovës.
 
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet idenë dhe vizionin për takimin Selaniku 2, në vitin 2014, për perspektivën e gjithanshme evropiane të rajonit”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. 
 
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Stavros Lambrinidis ka thënë se Greqia e njeh aspiratën e të gjithë popujve të rajonit për të qenë pjesë e integrimeve evropiane, dhe këtë vizion e ka përkthyer  në një plan konkret, që është Agjenda 2014.

“Ky plan do të ndërtohet në themelet e Agjendës së Selanikut 2003, kur të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për perspektivën evropiane të rajonit. Kjo perspektivë përfshinë edhe Kosovën” – ka theksuar z.Lambrinidis.
 
Ministri Lambrinidis është shprehur për një dialog aktiv dhe për tolerancë në rajon, në mënyrë që paragjykimet për rajonin të shndërrohen në një vizion të pajtimit dhe bashkëpunimit të mirë fqinjësor.
 
Ai ka shprehur vlerësimin se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit ka shënuar  progres konkret dhe duhet të vazhdohet  në këtë drejtim. Në këtë rrugë Bashkimi Evropian, dhe Greqia në veçanti, do të jenë afër jush, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Stavros Lambrinidis.

Last modified: 8 Shtator, 2011

Comments are closed.

×