Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi priti ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Fratini

28 Prill, 2010

Prishtinë, 28 prill 2010
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Fratini,  me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, në rajon dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve.
 
Kryeministri Thaçi në takim ka shprehur falënderimin për qeverinë italiane në angazhimet e saja për të mbështetur Kosovë në procesin e shtet ndërtimit.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës çmon mbështetjen aktive të Qeverisë së Italisë që Republika e Kosovës dhe vendet e rajonit të jenë pjesë e zhvillimit të proceseve të integrimit në strukturat euroatlantike, është shprehur kryeministri Thaçi.
 
Kryeministri Thaçi në vazhdim ka njoftuar ministrin e Jashtëm, Franco Fratini me angazhimet prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtim të përmbushjes së obligimeve të saja teknike dhe politike për të qenë pjesë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.  Republika e Kosovës është e përkushtuar në këtë proces shumë të rëndësishëm, ka thënë z.Thaçi
 
Kryeministri Hashim Thaçi në takim ka theksuar se Republika e Kosovës ka ndërtuar raporte të mira me të gjithë fqinjët e saj, si dhe ka ripotencuar qëndrimin e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit, për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për pjesëmarrjen aktive në të gjitha iniciativat e thellimit të bashkëpunimit rajonal, me qëllim të kontributit për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të gjithë rajonit, ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se në këto takime Kosova do të prezantohet vetëm si shtet i pavarur dhe sovran, si të gjitha shtetet tjera.
 
Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Franco Fratini, ka shprehur angazhimet e qeverisë së tij për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimorë, dhe në këtë kuadër ka theksuar se Italia është duke e mbështetur Kosovën që të jetë pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve. 

Last modified: 28 Prill, 2010

Comments are closed.

×