Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Në Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011 është përfshirë vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave

11 Mars, 2011

Prishtinë, 11 mars 2011

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, sot Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2011 i cili menjëherë i është dërguar Kuvendit të Kosovës për  miratim.  Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2011 kap shumën prej 1 . 264 milion euro.

Në hapje të mbledhjes së Qeverisë , kryeministri Thaçi ka pohuar se  është ky buxhet i rritjes ekonomike  i reformave të thella dhe është  buxhet për Kosovën evropiane.

“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2011 do të jetë një buxhet i orientuar drejt përkrahjes së politikave zhvillimore për të mirën e gjithë qytetarëve, duke mbështetur një rritje të fuqishme ekonomike prej 5.3 për qind brenda vitit 2011”, theksoi z. Thaçi.

Më tutje z. Thaçi ka njoftuar se në këtë buxhet është përfshirë vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave “Do të respektohet plotësisht vendimi i qeverisë për rritjen e pagave, në sektorin e arsimit, të shëndetësisë, të policisë, shërbyesve civilë, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, për çështjen e veteranëve, për shërbimin korrektues,  gjyqtarët dhe prokurorët “, ka thënë kryeministri Thaçi. 

Duke folur për investimet kapitale kryeministri Thaçi ka pohuar se vazhdon puna në projektet madhore sikurse që është autostrada Vermice – Merdare në të cilën do të punohet me gjithë potencialin që kemi. Është shumë me rëndësi sa i përket autostradës është duke u mbyllur më herët sesa ishte planifikuar. Do të vazhdojmë me investime tjera në infrastrukturë, në arsim, shëndetësi dhe në FSK.

Kryeministri Thaçi  ka vlerësuar të suksesshme konsultat dhe bisedat e Qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisionin Evropian dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë duke i falënderuar ata për ndihmën dhe përkrahjen me rastin e hartimit të buxhetit të Kosovës për këtë vit.

Z. Thaçi me këtë rast ka falënderuar të gjithë ministrat dhe të gjithë pjesëmarrësit për punën e mirë që kanë bërë në hartimin e projektit të buxhetit për këtë vit. 

Qeveria sot ka miratuar propozimin për anëtarët e rinj të Komitetit ndërministror për  privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit sh.a. të KEK-ut.

Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka njoftuar kabinetin qeveritar me pasojat e tërmetit që sot ka goditur  Japoninë. Sipas ministrit Hoxhaj shumica e qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Japoni janë kontaktuar menjëherë dhe ata janë jashtë zonave të prekura nga tërmeti . Po ashtu edhe personeli i ambasadës së Kosovës është kontaktuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përkujtuar  30 vjetorin e demonstratave të studentëve  të vitit 1981. Kryeministri Thaçi ka pohuar se demonstratat e vitit 1981 ishin lëvizje kombëtare dhe anti komuniste me kërkesën  për Kosovën Republikë.

Last modified: 11 Mars, 2011

Comments are closed.

×