Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Haradinaj: Beteja heroike e Koshares ka dëshmuar unitetin e luftëtarëve shqiptarë

9 Prill, 2018

Koshare, 9 prill 2018

Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe u mbajt tubimi përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2018”.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se në rrugën tonë deri në liri kemi parë gjithë ato tmerre që i ka lufta, por kemi parë edhe trimëri të papërsëritshme të heronjve tanë.
“Ne krenohemi me heronjtë tanë si, Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu e shumë bashkëluftëtarë tjerë”, tha kryeministri Haradinaj në 19 vjetorin e Betejës së Koshares.

Të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor iu është drejtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe zëvendëskryeministri I parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli

Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, për betejën e lavdishme të Koshares foli ish komandanti i Brigadës, ministër i FSK-së, Rrustem Berisha, ndërsa në emër të familjarëve të dëshmorëve një fjalë rasti mbajti Visar Hasi.

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj në Koshare:

Mirë se ju gjej në Koshare, të gjithëve ngado që keni ardhë nga trojet e atdheut tonë,
I nderuar president i Republikës së Kosovës, shkëlqesia juaj, z.Hashim Thaci,
I nderuar zëvendëskryeministër Behgjet Pacolli,
I nderuar ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, njëkohësisht komandant i Brigadës 138 “gim Ramadani”, Rrustem Berisha,
I nderuar Gjeneral Rama,
Ministra të nderuar, deputetë,
I nderuar ambasador, i pjesës tjetër të Atdheut z.Minxhozi,
Familjarë të dëshmorëve, të gjithë ju prezentë, bashkëluftëtarë, shoqata të dala nga lufta, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, fëmijë të dashur,

Të jesh këtu në 19- vjetorin e Betejës heroike të Koshares, të përulesh para të gjithë këtyre dëshmorëve e heronjve të lirisë nga Brigada 138, që në memorien shtetërore paraqet thyerjen e kufirit ndërshqiptar, e që do të thotë po ashtu unitetin e luftëtarëve shqiptarë, të njohur tanimë, heronjve tanë Agimit, Salihut, Xhemajlit e gjithë të tjerëve.
Të bëhesh pjesë në “Ditët e Shqipes” është jo vetëm nder, por edhe betim se do t’i dalim
Zot atdheut.
I nderojmë sot edhe ata të huaj që ishin rreshtuar me ne, që sfiduan idealet e lirisë e në mbrojtje të humanitetit dhe vlerave tona të përbashkëta.

Shumë breza janë shkri për Kosovën, por brezi ynë jemi me fat, sepse në krahë kishim NATO-n dhe së bashku ngadhënjyem mbi të keqen.

Dhe sot, së bashku me aleatët tanë strategjik, prirë nga Amerika, jemi në rrugë të mirë për ta krijuar ushtrinë tonë, si pjesë integrale e NATO-s për t’i dhënë krah paqes kudo në botë, të gatshëm që të marrim pjesë në paqe ruajtje kudo dhe kurdo që ka nevojë.

Nuk shkuam në luftë për të poshtëruar popullsinë joshqiptare, por e bëmë luftën që në këtë shtëpi të përbashkët kurrë më të mos ketë shtypje dhe padrejtësi.

Dhe po e ndërtojmë një shtet ku të gjithë ndihen të sigurt dhe ku frika i lë vend shpresës e ku pa dallim të gjithë mund ta ndërtojnë lumturinë e vet.

Shqiptarët asnjëherë në histori nuk sulmuan tokat e fqinjëve dhe nuk ua cenuan lirinë, ata e duan paqen, mirëpo jo edhe nënshtrimin, dhe patën guximin t’i rrokin armët për të luftuar për liri e dinjitet, pa pyetur për çmimin.

Ata përballuan humbje të tmerrshme të njerëzve dhe pasurive dhe nuk kanë më çfarë të japin, si këmbim për ta përmbyllur pavarësinë e Kosovës dhe njëkohësisht për të arritur njohjen reciproke me Serbinë.

Asnjë komb në botë nuk negocion lirinë dhe sovranitetin e vet!

Dhe miqtë tanë në BE duhet ta mbështesin Kosovën e pavarur, e cila nuk është problemi por zgjidhja, sepse që nga çlirimi i saj paqja në rajonin tonë është e qëndrueshme.

Në rrugën tonë deri në liri kemi parë gjithë ato tmerre që i ka lufta, por kemi parë edhe trimëri të papërsëritshme të heronjve tanë.

Ne krenohemi me heronjtë tanë si Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu e shumë bashkëluftëtarë tjerë.

Ka filluar mijëvjeçari i ri, i shqiptarëve. Ky është shekulli i parë i shtetit tonë sovran, pra Kosovës së lirë me synim bashkimin ndër shqiptarë me familjen euroatlantike dhe, në këtë rrugë poashtu do të kemi shumë sfida por jemi të vetëdijshëm se me shembullin e heronjve me unitetin e tyre do t’ia arrijmë qëllimit.

Lavdi Dëshmorëve!
Lavdi heronjve!

Last modified: 9 Prill, 2018

Comments are closed.

×