Zyra e Kryeministrit

Kosova është përcaktuar për politikën e fqinjësisë së mirë, për integrime rajonale dhe evropiane – thekson kryeministri Thaçi

7 Mars, 2011

Prishtinë, 7 mars 2011

Thekse nga paraqitja e dytë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Faleminderit i nderuar Kryetar,

Faleminderit të nderuar shefa të grupeve parlamentare,
 

Unë dëshiroj që gjithë këtë proces ta sqaroj nga fillimi deri sot këtu ku kemi ardhur.

Ajo çka dëshiroj të them është se ne të gjithë e dimë të kaluarën e raporteve Kosovë – Serbi, të gjithë e dimë të kaluarën e hidhur, të errët dhe armiqësore, të gjithë e kemi përjetuar, të gjithë kemi sakrifikuar dhe sot e kemi Kosovën të lirë dhe të pavarur.

Por, tani është hapur një kapitull i ri, ai i integrimeve euroatlantike.

Në pyetjen se çka fiton Kosova nga agjenda evropiane e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë; një fqinjësi e mirë reflekton në njohjen e Kosovës edhe nga pesë vendet e tjerat Bashkimit Evropian; pastaj, përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, sepse një nga parakushtet për liberalizimit e vizave, që është edhe një nga kriteret kryesore politike të Kopenhagës, është bashkëpunimi rajonal, pra, fuqizimi i bashkëpunimit rajonal; pastaj, menaxhimi i integruar i kufijve, zbatimi i marrëveshjes së CEFTA-s.

Kështu që, të gjithë këto ndërlidhen drejtpërdrejt me kriteret e Kopenhagës, agjendën evropiane.

Pra, Kosova nga bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë fiton pesë njohje të munguara nga vendet e Bashkimit Evropian, përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, pastaj përshpejtimin në procesin e integrimit në NATO (vitin e ardhshëm do të bëhet edhe vlerësimi i zhvillimit të Forcës mbrojtëse të Kosovës), si dhe përshpejtimi i procesit për t’u integruar në Bashkim Evropian dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Nuk do të ketë liberalizim të vizave, as anëtarësim në NATO, as në OKB, as në EU, pa normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore me të gjitha vendet e rajonit.

Ky është një proces i dialogut dhe jo i negociatave (për qartësim).

U deklaruan dy shefat e grupeve parlamentare. Njëri tha që kryeministri nuk tha asgjë dhe tjetri që tha se kryeministri tha shumëçka.

Unë kam folur atë që e mendoj dhe që kam qenë i përgatitur në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës. Mund ta vlerësoni si të doni.

Por, dëshiroj të theksoj se unë i vlerësoj dhe i mirëpres të gjitha komentet që u prezantuan këtu e të gjithë deputetëve.

Kishte të drejt Ardiani që tha se ky është proces në vazhdimësi dhe jo i filluar sot, i bashkëpunimit ndërfqinjësor.

Prandaj, unë dëshiroj që sot, duke vazhduar me transparencën e plotë para të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, të prezantoj draft-kornizën për dialog teknik me vendet fqinje, por edhe me Serbinë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e vetëdijshme që bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu, janë çështje kyçe për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe kusht për integrimin në NATO dhe Bashkim Evropian.

Kosova është përcaktuar për politikën e fqinjësisë së mirë, për integrime rajonale dhe evropiane.

Raportet e mira fqinjësore mund të krijohen vetëm në baza të marrëdhënieve që udhëhiqen nga politik e bashkëpunimit të drejt dhe raportit reciprok.

Dialogu me Serbinë dhe vendet e tjera, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë, në kuptimin e ndërtimit të një bashkëpunimi, është i dobishëm, është i pashmangshëm dhe do të hapë një kapitull të ri të zhvillimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe rajonale.

Qëndrimi i Republikës së Kosovës në zhvillimin e dialogut me Serbinë, bazohet në propozimin gjithëpërfshirës për statusin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, i shpallur pas bisedimeve të gjata me shtetin e Serbisë, me ndërmjetësin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, presidentit Ahtisaari dhe në koordinim dhe bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare.

Në procesin e negociatave të asaj kohe ( ky është dialog, është dallim i madh), ka qenë përfshirës i gjithë spektri politik, me përjashtim të njëri që nuk ka qenë në atë kohë në Parlament. Dhe, të gjithë e kanë mirëpritur, përshëndetur dhe duartrokitur dokumentin e presidentit Ahtisaari.

Për më tepër, të nderuar deputetë, kabinet qeveritar, dialogu me Serbinë, është në përputhje edhe me rezolutën për Kosovën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 9 shtator 2010, rezolutë kjo e mirëpritur dhe përshëndetur nga Kuvendi i kaluar i Republikës së Kosovës.

Prandaj, Qeveria të gjitha që i ka bërë, i ka bërë në përputhshmëri me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe Kuvendi i kaluar, edhe ky, por edhe nga legjitimiteti i përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Kabinet qeveritar,

Unë i kuptoj edhe kritikat për dialog dhe mundohem t’i respektoj. Janë hedhur kritika për dialogun teknik me Serbinë. Këto kritika për mua dhe për të gjithë ju, do të ishin shumë të mirëseardhura sikur të ishin ide për të fuqizuar dhe konsoliduar shtetin e Kosovës, ide këto që do të inkorporoheshin në platformën e Republikës së Kosovës për bisedime.

Prandaj, unë ju ftoj që në vend të kritikave, të prezantoni idetë dhe sugjerimet tuaja ndihmuese.

Kritikët, por edhe skeptikët e këtij procesi që janë paraqitur, kanë akuzuar, duke mos ofruar ide. Kanë akuzuar në vazhdimësi se, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mungesë të platformës.

Unë si kryeministër ju siguroj se Kosova ka platformën e saj që nga shtatori i vitit të kaluar. Kjo platformë është përgatitur qysh përpara se të aprovohej Rezoluta për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Për më tepër, kjo platformë i është dhënë edhe zyrtarisht  lehtësuesve të këtij dialogu, përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe elementet kyçe të saj janë plotësisht të pranuara nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Të nderuar deputetë,

Qytetar të nderuar,

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni t’ju siguroj juve si përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, por gjithashtu dua të siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës, se Qeveria e Republikës së Kosovës në asnjë rrethanë nuk do të bisedojë me Serbinë për çështjet në vazhdim:

Në fakt këto janë çështjet që në vazhdimësi ju kemi referuar si vija të kuqe, që i kemi përcaktuar herët, me kohë dhe shumë vendosmërisht dhe për të cilat nuk do të bisedohet me askënd, kurrë, dhe as me Serbinë:

E para, statusi politik i Republikës së Kosovës. Kosova ka shpallur pavarësinë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës dhe pas shterjes së të gjitha mundësive për arritjen e një marrëveshjeje të pajtuar nga të gjitha palët. Shpallja e pavarësisë është bërë pas negociatave të gjata direkte dhe me ndërmjetësimit e të gjithë akterëve kryesor ndërkombëtarë të udhëhequr nga i emëruari i Kombeve të Bashkuara, ku janë përfshirë edhe Bashkimi Evropian , SHBA-ja dhe Rusia. Për më tepër, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha mendimin e saj këshillëdhënës për Kosovën, duke konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Edhe në atë kohë kishte skeptikë se Kosova është e papërgatitur, por Kosova ishte super e përgatitur dhe shënoi fitore të thellë, bindëse, të argumentuar dhe historike.

Shteti ynë deri më sot është njohur nga 75 shtete, anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe Kosova tashmë është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe së shpejti do të bëhet anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Zgjidhja e statusit politik të Kosovës ka ndikuar dukshëm në krijimin e stabilitetit rajonal, zhvillimit ekonomik, përmirësimit të ekonomisë dhe pajtimin ndëretnik. Dhe, hapja e çështjes së statusit do të ndikonte në cenimin dhe dëmtimin e këtyre arritjeve, ndërsa rezultati gjykohet të jetë i njëjtë.

Pra, kjo është pika e parë e vijës së kuqe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pika e dytë. Çështjet që lidhen me integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Çdo diskutim që do të vinte në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës, do të jetë i papranueshëm prej institucioneve dhe popullit të Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e bazuar në propozimin gjithëpërfshirës për statusin, përcakton se, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.

Hapja e çështjes së ndryshimit të kufijve të Kosovës, në mënyrë të pashmangshme do të ketë implikime zinxhirore edhe me vendet tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnje  Hercegovinë e më tutje.

Pika e tretë. Çështjet që janë në kundërshtim me propozimin gjithëpërfshirës për statusin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është kriteri vital dhe parakushti i vetëm i funksionimit të shtetit të Kosovës.

Kushtetuta është hartuar si rezultat i një konsensusi ndërkombëtar dhe mbi bazat e propozimit gjithëpërfshirës për statusin.

Kushtetuta qëndron mbi themelet e një kornize të gjerë legjislative që garanton mbrojtjen e të drejtave të gjithë popullsisë së Kosovës dhe, në veçanti të komuniteteve jo shumicë në kuptimin afirmativ.

Kushtetuta përcakton parimet dhe dispozitat si dhe mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e komuniteteve pakicë dhe rolin e komuniteteve në të gjitha institucionet publike.

Prandaj, hapja e diskutimit për çështjet të cilat veç janë të rregulluara me Kushtetutën e Kosovës, do të thotë cenim i Kushtetutës, gjë e cila është e papranueshme për Kosovën.

Të nderuar deputetë,

Zonja dhe zotërinj,

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se pas përfundimit të një procesi të gjatë politik, i cili rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përmbylljes së dilemave sa i përket ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë, ne mendojmë se është koha të hapet perspektivë e re në zhvillimin e marrëdhënieve normale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në baza plotësisht të barabarta.

Frymën e marrëdhënieve të krijuara në vendet e tjera të rajonit synojmë ta përcjellim edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht qëndrimit të Serbisë pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Jemi të angazhuar dhe interesuar që sa më parë të vendosim baza të një dialogut, jo negociatave, dialogut të mirëfilltë, që shpijnë drejt tejkalimit të barrierave të krijuara me vite krijimit të kushteve sa më të mira jetësore për qytetarët e dy shteteve.

Sfera e çështjeve që mund të diskutohen është shumë e gjerë, ndërsa dialogu për zgjidhjen e tyre do të jetë i vazhdueshëm, varësisht nga natyra e çështjeve që diskutohen dhe qëndrimit të palëve në dialog. 

Last modified: 7 Mars, 2011

Comments are closed.

×