Zyra e Kryeministrit

Konstituohet Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës

24 Janar, 2017

Prishtinë, 24 janar 2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin konstituues të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, vëzhguesit ndërkombëtarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe KFOR-i, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe ai i Komunës së Istogut, Haki Rugova, përfaqësues të institucioneve tjera kompetente që do të jenë në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast theksoi se Qeveria nuk do të jap udhëzime se si të punojë Komisioni duke qenë se ai është profesional dhe do ta ketë plotësisht në kompetencë dhe përgjegjësi të tij që të përcaktojë kriteret, metodologjinë dhe teknikat e matjes së territorit të Republikës së Kosovës.

“Raporti, të cilin ju do ta bëni përfundimisht, do ta aprovojë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe me këtë raport pastaj do ta njoftojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj lidhur me territorin që e kemi tani dhe territorin që e kemi pasur para datës 25 gusht të vitit 2015”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Hivzi Islami u zotua në punë të paanshme dhe profesionale të Komisionit.

“Ky Komision nuk do të merret me shkaqet dhe efektet politike të kufijve, me markim ose demarkim të tyre, as me aspekte tjera. Komisioni ka për detyrë vetëm të bëjë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të secilës zonë kadastrale dhe komunë administrative.
Komisioni do të qëndroj larg ndikimeve dhe animeve politike, partiake, të grupeve të interesit, sikurse që do të lë anash emocionet, patetizmin, folklorin, irracionalitetin. Neve na duhet këtu, në këtë moment, vetëm profesionalizmi. Në këtë çështje, si edhe në shumë çështje tjera me rëndësi kombëtare dhe shtetërore, është shumë i nevojshëm, më se i nevojshëm konsensusi i plotë i të gjitha forcave politike dhe institucioneve profesionale, shkencore dhe shoqërore të Kosovës”, tha Akademik Islami.

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, gjatë takimit ka vendosur që të funksionoj në dy grupe punuese, organizativ dhe profesional.

Grupi organizativ do të merret me krijimin e kushteve teknike të punës, në bashkëpunim me Sekretariatin Koordinues të Qeverisë në Zyrën e Kryeministrit, pastaj me mbledhjen dhe sistemimin e materialit që do ta sjellin përfaqësuesit organizatave dhe agjencive, do të organizojë ballafaqimin e ekspertëve nga institucionet e ndryshme pas punës së profesionistëve të tyre, si dhe me çështje tjera organizativo-administrative deri te hartimi i Raportit final.

Grupi Profesional ka për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe gjithë dokumentacionin zyrtar vetëm nga institucionet përkatëse, ku përfshihen të gjitha llojet e të dhënave dhe fakteve: kadastrale, hartografike, statistikore, shkencore dhe menaxheriale të institucioneve të KSAK (deri në vitin 1988) dhe të Republikës së Kosovës (pas vitit 2008).

Takimi i radhës është vendosur të mbahet më 1 shkurt.

Fjala e plotë e kryeministrit në takimin konstituues të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Ne në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor të vitit të kaluar, kemi marr vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij vendimi, detyrë e komisionit është që të bëjë matjen e territorit para datës 25 gusht, do të thotë para nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje për të përcaktuar saktësinë e territorit të Republikës së Kosovës.

Në komision janë përfshirë përfaqësues të organizatave shkencore, profesionale, të institucioneve të shtetit që merren me këtë fushë, pastaj kryetarët e katër komunave që kufizohen me Malin e Zi, të Komunës së Pejës, Istogut, Deçanit dhe Junikut, përfaqësues të shoqërisë civile si ekspertë dhe dy përfaqësues nga rajoni i Rugovës, që përcaktohen nga Komuna e Pejës.

Po ashtu kemi lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të kemi edhe vëzhgues ndërkombëtarë që do ta vëzhgojnë punën e komisionit dhe kemi marrë propozimet prej tyre për një vëzhgues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një nga Bashkimi Evropian dhe një nga KFOR-i.

Qeveria nuk e ka marrë përsipër që vet të caktojë anëtarët e komisionit, por ne kemi përcaktuar vetëm organizatat, përkatësisht organet, nga të cilat kemi kërkuar që ata të delegojnë anëtarët e komisionit, përkatësisht ekspertë në  komision.

•   Nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është Kryetari i Akademisë, akademik Hivzi Islami;
•   Nga Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore është caktuar, Dr.Fitim Humolli;
•   Nga Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, është caktuar zëvendësdrejtori i këtij grupi, Jeton Rexha, që i përket shoqërisë civile. Kanë propozuar që me të,  të jenë edhe dy ekspertë që do ta mbështesin. Një ekspert do të jetë po ashtu edhe me Kryetarin e Akademisë të fushave profesionale;
•   Nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, Avni Ahmeti;
•   Nga Agjencia e Ujërave,  Fidan Bilalli;
•   Nga Agjencia e Pyjeve, Faruk Bojaxhi;
•   Nga KOSTT-i, Besim Gërxhaliu;
•   Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agron Luta;
•   Nga Policia e Kosovës, Nënkolonel Kamer Jonuzaj, Departamenti i Kufirit;
•   Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Idriz Shala;
•   Kryetari i Komunës së Pejës, z.Muhaxheri;
•   Kryetari i Komunës së Deçanit, z.Selmanaj;
•   Kryetari i Komunës së Istogut, z.Rugova;
•   Kryetari i Komunës së Junikut, z.Kuçi; dhe
•   Dy përfaqësues janë caktuar nga Peja, Ali Lajçi dhe Rrustem Selimaj.

Unë vetëm dëshiroj të them se ne si Qeveri nuk do të japim udhëzime se si të punojë Komisioni, sepse konsiderojmë se Komisioni është profesional dhe ne do ta lëmë plotësisht në kompetencë dhe përgjegjësi të Komisionit, që të përcaktojë kriteret, metodologjinë dhe teknikat e matjes së territorit të Republikës së Kosovës.

Dëshiroj të them se ne do të mbështesim plotësisht, në mënyrë logjistike punën e Komisionit. Kemi Sekretarin e Qeverisë që është këtu së bashku me ne dhe ekipin e Sekretariatit, që do të mbështesë edhe në procesverbale edhe në transkripte dhe në përkthime, si dhe të gjitha materialet që ju nevojiten, dhe ato t’ju sigurohen me kohë.

Raporti, të cilin ju do ta bëni përfundimisht, do ta aprovojë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe me këtë raport pastaj do ta njoftojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj lidhur me territorin që e kemi tani dhe territorin që e kemi pasur para datës 25 gusht të vitit 2015.

Unë konsideroj se është një ndërmarrje shumë e rëndësishme për ne, sepse edhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar që të dinë saktësisht se sa është territori i Republikës së Kosovës për arsye të shumë diskutimeve dhe kontesteve që janë zhvilluar në këtë aspekt, por edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta dijë se cili është territori i Republikës së Kosovës, i asaj Republike, atij shteti që ata e kanë njohur ndërkombëtarisht, sepse neve na kanë njohur 113 shtete, na kanë njohur në territorin në të cilin ne e kemi shpall Pavarësinë e shtetit.

Prandaj, është mirë që mos të krijohet ndonjë konfuzion dhe të sqarojmë gjërat, është mirë edhe për ata që kanë pasur mendime të ndryshme, edhe për të gjithë qytetarët që të sqarohen.

Fjala është vetëm për një nevojë që ne ta kemi një përgjigje të saktë dhe kjo përgjigje e saktë mendoj që është e dobishme për të gjithë, është e dobishme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa i ndarë pozitë-opozitë, është e nevojshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës, është e nevojshme për institucionet e vendit dhe është e nevojshme për komunikimet tona që i kemi me faktorin ndërkombëtarë.

Unë i falënderoj të gjithë ata që do të punojnë, edhe institucionet për propozimet të cilat i kanë dhënë, dhe uroj që kjo punë të kryhet me agjendën të cilën ju e caktoni.

Unë kisha propozuar që në emër të Qeverisë, meqenëse këtu kemi edhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që ai të drejtoj punën e këtij Komisioni, ndërkaq ne kemi ardhur sot që të marrim pjesë në konstituimin e Komisionit dhe prej këtij momenti, ne këtë çështje e lëmë në kompetencë dhe fushëveprimin tuaj, që të uleni dhe të përcaktoni mënyrën se si do të punoni më tutje në këtë Komision dhe të përcaktoni kohën. Ndërkaq ajo që ne e marrim obligim si Qeveri është që të gjitha adresimet që ju i bëni lidhur me materialet, dokumentacionin, edhe çështjet tjera që ju nevojiten, ato do t’ju sigurojmë.

Unë ju uroj sukses në punë, e falënderoj edhe zëvendëskryeministrin Kuçi dhe Kelmendi, ministrin Hyseni dhe të gjithë tjerët, edhe Sekretarin e Qeverisë dhe Sekretariatin që janë këtu, ndërkaq do ta keni mbështetjen e plotë.

Ne e vlerësojmë shumë këtë përkushtim dhe punën tuaj, dhe presim që atë punë ta bëni në mënyrë të pandikuar, krejtësisht në mënyrë të pavarur, me përgjegjësi profesionale dhe me etikë profesionale.

Faleminderit.

Last modified: 24 Janar, 2017

Comments are closed.

×