Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

11 Janar, 2016

Prishtinë, 11 janar 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit i raportuan kryeministrit lidhur me progresin e arritur për përmbushjen e këtyre rekomandimeve dhe u konstatua njëzëri se është shënuar progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian.

Në takim u konstatua se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit, si rezultat i mos zhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.

Të gjithë përfaqësuesit u zotuan për angazhim edhe më të fuqishëm për të përmbushur secilin rekomandim, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës, me meritë të plotë, t’iu mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi përkushtimin dhe falënderoi institucionet përkatëse si dhe të  gjithë qytetarët e vendit, për kontributin e tyre në avancimin e rrugës integruese evropiane, duke rikonfirmuar angazhimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar maksimalisht në realizimin e plotë dhe sa më të shpejtë të aspiratave eurointegruese.
 

Last modified: 11 Janar, 2016

Comments are closed.

×