Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

6 Janar, 2016

Prishtinë, 6 janar 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po e përcjellë me shqetësim dhe vëmendje të posaçme situatën e krijuar pas përmbytjeve, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që kanë rënë gjatë ditës, në disa pjesë të vendit.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast, ka kontaktuar dikasteret kompetente, në veçanti ministrat e FSK-së dhe të Punëve të Brendshme, si dhe ka mobilizuar Qendrën e Situatave në kuadër të ZKM-së, dhe institucionet tjera përkatëse.

Kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar nga bartësit e këtyre mekanizmave, që në koordinim me autoritetet lokale në komunat e prekura, të ndërmarrin të gjitha masat dhe të mobilizohen të gjitha kapacitetet për të tejkaluar këtë situatë si dhe për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, në të gjitha rajonet e vendit, të cilat janë të rrezikuara nga përmbytjet apo pasojat tjera eventuale të reshjeve atmosferike.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po ashtu, fton të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i drejtohen organeve lokale dhe qendrore për çdo nevojë që mund të kenë, në mënyrë që fillimisht të tejkalohet situata aktuale dhe më pas të ndërmerren masa për sanimin e dëmeve që mund të shkaktohen.

Kryeministri Isa Mustafa fton qytetarët e vendit që të jenë të bashkuar në këtë situatë të krijuar nga forcat e natyrës, dhe që së bashku, me përkushtim dhe solidaritet, të tejkalohen sfidat me të cilat mund të ballafaqohemi.

Last modified: 6 Janar, 2016

Comments are closed.

×