Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

21 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 21 dhjetor 2015
 
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
 
Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi  i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren.
 
Duke pasur parasysh këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik që të punojnë për avancimin e proceseve dhe të perspektivës integruese euroatlantike të Kosovës, duke filluar nga liberalizmi i vizave që pritet të finalizohet së shpejti. Qeveria do të jetë e hapur për të diskutuar çdo vërejtje të mundshme të qytetarëve dhe të përfaqësuesve politikë lidhur me të gjitha proceset e rëndësishme për vendin.
 
Qeveria e Kosovës, me këtë rast, shpreh mirënjohjen e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që SHBA-të po japin për Republikën e Kosovës, duke theksuar njëkohësisht përkushtim të plotë për fuqizimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Last modified: 21 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×