Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

20 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 20 dhjetor 2015

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër djegien e veturës zyrtare të kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkrahje të plotë për organet e drejtësisë dhe për fuqizimin e shtetit të së drejtës. Aktet e dhunës, siç është edhe kjo e vënies së zjarrit veturës zyrtare të Kryetarit të Gjykatës Themelore, flasin për mjerimin e atyre që kryejnë veprime të tilla, por, edhe për nevojën e bashkëpunimit më të madh me qytetarët, për të izoluar dhe demaskuar ata që po veprojnë kundër shtetit të Kosovës, pasurisë dhe institucioneve të tij.

Ky akt, i paraprirë nga akte të ngjashme të djegies së disa veturave zyrtare në javët e fundit, është sulm i drejtuar kundër institucioneve të pavarura kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe formë e presionit ndaj bartësve të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, konsideron se dhuna e organizuar dhe e shfaqur, në të gjitha format e saj, dëmton interesat madhore të qytetarëve si dhe progresin e përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës për fuqizimin e shtetit, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e  rrugës integruese euroatlantike, të cilat po arrihen me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të BE-së. 

Qeveria e Kosovës, fton organet kompetente, që në përputhje me obligimet ligjore dhe kushtetuese, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj presioni nga kushdo që mund të vije, të marrin masa për  zbardhjen e rasteve të tilla dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.

Last modified: 20 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×