Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

17 Nëntor, 2015

Prishtinë, 17 nëntor 2015

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon dhunën e skajshme të ushtruar sot nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët përmes përdorimit masiv të gazrave helmuese, rrezikuan seriozisht shëndetin dhe integritetin personal të pjesëmarrësve në seancë, duke tentuar posaçërisht të sulmojnë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.

Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime ekstreme, janë të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe progresit që po arrihet me përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, akte të cilat kanë për synim zhytjen e Republikës së Kosovës në anarki dhe krim.

Qeveria e Kosovës çmon vendosmërinë dhe përkushtimin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të cilët, përkundër rrezikut me të cilin u ballafaquan, votuan në lexim të parë Buxhetin e Shtetit për vitin 2016, duke qenë në shërbim të plotë të interesave madhore të shtetasve të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ndjen të nevojshme të bëjë apel te ata deputetë të opozitës, të cilët, pa vullnetin e tyre janë bërë pjesë e veprimeve meskine të disa individëve të ndëshkuar në vazhdimësi me votë nga qytetarët e Kosovës, që të distancohen nga këto akte ordinere të drejtuara kundër shtetit tonë.

Qeveria e Kosovës, duke shprehur mirënjohje të parezervë për qytetarët dhe miqtë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe vendet e BE-së, që po e mbështesin fuqishëm Republikën e Kosovës, thekson përkushtimin e saj për të avancuar zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, për liberalizimin e vizave dhe integrimet tjera evropiane, përkundër përpjekjeve të disa individëve në opozitë, që t’ia mohojnë qytetarëve të Kosovës, realizimin e këtyre aspiratave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme dhe të mos tolerojnë akte që cenojnë shëndetin dhe jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të tjerë, si dhe të mundësojnë kryerjen e detyrave dhe obligimeve zyrtare e ligjore nga bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Last modified: 17 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×