Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

7 Nëntor, 2015

Prishtinë, 7 nëntor 2015
 
Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndet përfundimin pa asnjë incident të vizitave të pelegrinëve serbë në Kishën e qytetit të Gjakovës dhe në kisha, manastire dhe varreza nëpër disa qytete të tjera të Kosovës.
 
Qeveria e Kosovës çmon lartë sjelljen e qytetarëve dhe të pelegrinëve gjatë këtyre vizitave si dhe përkushtimin e kryetares së Komunës së Gjakovës dhe autoriteteve lokale të Pejës, Deçanit, Suharekës, Prishtinës, Mitrovicës dhe komunave të tjera, ku kanë qëndruar pelegrinët serbë, si dhe Policinë e Kosovës, për profesionalizmin e dëshmuar.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se kjo është dëshmia më e mirë reale, e bashkëjetesës dhe tolerancës tradicionale që karakterizon qytetarët e Kosovës, të të gjitha etnive dhe besimeve fetare.
 
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, janë të përkushtuar për të respektuar të gjitha vlerat demokratike evropiane, për të qenë pjesë e botës demokratike dhe e të gjitha organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë, kulturën, arsimin e shkencën dhe avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet kombeve në botë.
 
Me këtë rast, Qeveria e Kosovës vlerëson se pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ditën e hënë, do të ishte një hap i rëndësishëm për fuqizimin e këtyre vlerave. Republika e Kosovës e meriton dhe është e gatshme të jetë anëtare e denjë e UNESCO-s, pasi që ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate.

Last modified: 7 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×