Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për media

5 Nëntor, 2015

Prishtinë, 5 nëntor 2015

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka marrë pjesë në konferencën “Trajnimi diplomatik dhe integrimi në BE”, në panelin e parë me temën: “Bashkimi Evropian dhe Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e Akademisë Diplomatike të  Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të  Kroacisë dhe Malit të Zi. 

Ministrja Tahiri gjatë fjalës së saj foli për progresin e Kosovës dhe rrugën e integrimit evropian me ç ‘rast tha se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, përfundimisht hap rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe kjo Marrëveshje do të ketë efekte pozitive shumëdimensionale, politike, juridike dhe ekonomike për Kosovën.

Po ashtu theksoi se progresi në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor është i lidhur ngushtë me progresin në marrëdhëniet ndër fqinjësore mes vendeve dhe progresin në integrimin në Bashkimin Evropian. Ajo në veçanti theksoi se çështjet e hapura në relacionet ndërfqinjësore duhet të zgjidhen me dialog dhe pa e penguar njëra tjetrën në integrime evropiane.  

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri gjatë konferencës vuri në fokus dialogun e Brukselit si një proces që po ndihmon për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Ministrja ndër të tjerash tha se dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-ve, ka dhënë rezultate të rëndësishme në disa plane. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri theksoi se Marrëveshjet e Brukselit i kanë dhënë Kosovës mundësi që ta shtrijë sovranitetin në pjesën veriore të vendit, ka pasur shuarje të strukturave paralele në shumë fusha si dhe reciprocitet në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Në fjalën përmbyllëse të saj, ministrja për Dialog, potencoi se Kosova me dialogun e Brukselit po dëshmohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe vetë dialogu i Brukselit po konsiderohet si kontribuuesi kryesor për paqen në rajon.
 

Last modified: 5 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×