Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

14 Tetor, 2015

Prishtinë, 14 tetor 2015
 
Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon sulmin e sotëm kundër zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, të organizuar dhe të kryer nga Lëvizja Vetëvendosje.
 
Aktet e dhunshme të kryera sot, në vazhdën e sjelljeve të dhunshme të kohëve të fundit të kryera nga kjo Lëvizje e të mbështetura nga partitë tjera opozitare, janë të drejtuara kundër institucioneve legjitime dhe vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
 
Ky sulm, i kryer pikërisht në kohën kur zoti Selimi dhe të gjithë bartësit e tjerë të institucioneve të Kosovës po angazhohen fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe në proceset e integruese evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave dhe nënshkrimi i MSA-së, dëshmon papërgjegjshmërinë si dhe përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar suksesin e Republikës së Kosovës, në këto procese vitale për të ardhmen e vendit.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës fton sërish përfaqësuesit e opozitës që të heqin dorë nga aktet e dhunshme që cenojnë punën e bartësve legjitim të institucioneve dhe organeve të pavarura shtetërore, si dhe që të jenë pjesë e angazhimeve institucionale për fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.
 

Last modified: 14 Tetor, 2015

Comments are closed.

×