Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për Media

13 Tetor, 2015

Prishtinë, 13 tetor 2015
 
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësim dhe keqardhje për dhunën që grupe militantësh të partive opozitare kanë ushtruar një natë më parë mbi Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kushtetuese, duke lënduar rëndë disa zyrtarë policorë, duke shkaktuar dëme në objekte publike e private dhe duke krijuar shqetësim te qytetarët.
 
Aktet e skajshme vandale që u manifestuan gjatë protestës së dhunshme të thirrur dhe të drejtuar nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të përkrahur nga partitë tjera opozitare, cenon rendin dhe ligjin, punën e organeve të pavarura shtetërore si dhe interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmet kundër institucioneve të sundimit të ligjit dhe garantimit të rendit dhe sigurisë, të mandatuara që aktivitetin e fushëveprimit të tyre ta ushtrojnë të lira nga ndërhyrjet dhe dhuna.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit, me qëllim që të dalin mbi ligjin dhe që të realizojnë agjendat e tyre politike ditore, duke vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.

Last modified: 13 Tetor, 2015

Comments are closed.

×