Zyra e Kryeministrit

KOMUNIKATË PËR MEDIA

2 Korrik, 2011

Bruksel 2 korrik 2011

Sot në Bruksel u mbajt raundi i pestë i dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nën udhëheqjen e Zëvendëskryeministres znj. Edita Tahiri, delegacioni i Republikës së Kosovës  mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për dialogun teknik, në këtë raund i ka arritur tre marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrëveshjet që u arritën në këtë raund të dialogut teknik janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë, marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë.

Marrëveshja për Lëvizjen e lirë  është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Qëllimi i saj kryesor është mundësimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe automjeteve nga njëri shtet në tjetrin dhe për në vendet e treta.

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare është në linjë të plotë me praktikat evropiane dhe marrëveshjeve ndërshtetërore me të cilën mundësohet njohja reciproke e diplomave universitare midis  dy vendeve duke  u mundësuar studentëve nga të dyja vendet perspektiva edukimi të mëtejmë dhe punësimi në shtetet përkatëse.

Marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë, i kontribuon kompletimit të regjistrit civil të Kosovës përmes të cilit Kosova praktikisht përmbush një prej kritereve për marrjen e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Këto marrëveshje janë një arritje shumë e rëndësishme për të dyja vendet ngase ngërthejnë vlerat e larta civilizuese dhe demokratike, janë në frymë dhe konform standardeve euro-atlantike dhe kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përafrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian.

Arritjet e shënuara në këtë raund të dialogut teknik ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe bashkëpunimet rajonale, që janë kritere të Kopenhages për integrim në BE.

Përmes këtyre arritjeve në këtë raund të dialogut teknik, Republika e Kosovës  ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt ushtrimit të sovranitetit të saj në politikën e jashtme dhe ka avancuar interesat nacionale dhe interesat e qytetarëve.

Ndërmjetësi i dialogut teknik z. Robert Cooper do ti bëjë publike përmbajtjet e plota të  marrëveshjeve të arritura ditën e hënë më 4
korrik 2011.

Marrëveshjet do të fillojnë  të implementohen menjëherë dhe se
Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të saja do të jetë koordinues,
lehtësues dhe monitorues përgjatë zbatimit të tyre.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nesër më 3 korrik 2011 më tu kthyer nga Brukseli do të  mbajë një konferencë për medie në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga ora 15:00.

Sëbashku me Zëvendëskryeministren Tahiri në këtë raund të dialogut teknik morën pjesë edhe këshilltarët politikë të Qeverisë, Lirim Greiçevci, Dren Zeka, Gazmir Raci si dhe ekspertët Murat Meha, Arben Gjukaj dhe Qemajl Marrmullakaj.

Raundi i gjashtë i dialogut teknik pritet të mbahet kah mesi i muajit korrik.

Last modified: 2 Korrik, 2011

Comments are closed.

×