Zyra e Kryeministrit

Komunikatë e Qeverisë së Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të raportit pozitiv vlerësues të Komisionit Evropian mbi procesin e liberalizimit të vizave

18 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 18 dhjetor 2015

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret faktin që Komisioni Evropian sot ka ndërmarrë hapin e publikimit të raportit për përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe vlerësimin pozitiv në këtë drejtim.

Qeveria e Republikës së Kosovës e mirëpret qartësimin se ky është raporti i fundit në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe e sheh si inkurajues faktin që raporti nënvizon përkushtimin tonë për të përmbushur udhërrëfyesin.

Qeveria e Kosovës dhe të gjitha dikasteret e saj, që nga viti 2012 kanë demonstruar një përkushtim shumë të madh në përmbushjen e të gjitha kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave.

Raporti nënvizon një numër të kufizuar të fushave ku KE-ja ka rekomandime për zbatim të mëtutjeshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës nënvizon se kushtet e parapara me udhërrëfyes janë plotësuar, dhe Komisioni Evropian është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra. Pavarësisht kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës do të përkushtohet fuqishëm që në ditët dhe javët në vazhdim të konsolidohen pikëpamjet me Komisionin Evropian rreth kushteve të nënvizuara. Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave, dhe se çdo vonesë në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është vonesë për trajtimin e tyre të barabartë dhe në mënyrë fer. Shpresojmë se Komisioni Evropian do të ketë vullnetin që të rekomandoj liberalizimin në fillimin e vitit të ardhshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet në ndërmarrjen e të gjitha hapave që Komisioni Evropian të bëjë rekomandimin, dhe e rithekson edhe një herë bindjen se liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës do të bëhet në vitin 2016.

Për sqarim të opinionit publik, Qeveria thekson se nga Raporti i Komisionit Evropian për Progresin në 1iberalizimin e vizave rezulton se nga 95 detyrime të parashtruara janë përmbushur 87 dhe atë si vijon: Ripranimi, janë përmbushur të gjitha, 7 gjithsej. Riintegrimi janë përmbushur 2 nga 3 sosh. Siguria e dokumenteve janë përmbushur 8 nga 9. Menaxhimi i kufirit janë përmbushur 14 nga 15. Menaxhimi i migrimit, janë përmbushur të gjitha, 10 sosh. Azili, janë përmbushur 6 nga 7. Parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit janë përmbushur 12 nga 15. Bashkëpunimi për zbatimin e ligjit, janë përmbushur të gjitha, 11 sosh. Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet kriminale janë përmbushur të gjitha, 7 sosh. Mbrojtja e të dhënave, janë përmbushur të gjitha, 3 sosh. Të drejtat themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, janë përmbushur 7 nga 8 kriteret e parashtruara.

Qeveria vlerëson se në ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik i ka përmbushur të gjitha kriteret, përkatësisht rekomandimet e mbetura, të cilat nuk janë përfshirë në këtë raport.

Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën me përkushtim të plotë në avancimin e progresit dhe të reformave, si procese të pandalshme të cilat zhvillohen në vazhdimësi në të gjitha vendet, përfshirë edhe ato anëtare të BE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson rëndësinë që ka për qytetarët e Republikës së Kosovës liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë në vendet e BE-së si një e drejtë elementare, duke vlerësuar se vonesat në këtë drejtim janë të dëmshme dhe në shpërputhje me angazhimet e përbashkëta të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 

Last modified: 18 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×