Zyra e Kryeministrit

Intervistë e Kryeministrit Thaçi dhënë Televizionit të Kosovës, pas vizitës zyrtare në Arabinë Saudite

17 Qershor, 2012

Prishtinë, 17 qershor 2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë një intervistë Televizionit të Kosovës, pas vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me autoritetet më të larta shtetërore.

Në vijim po e prezantojmë të plotë intervistën e z.Thaçi.

Është një vizitë e rëndësishme për shtetin e Kosovës, është një vizitë e parë e nivelit të tillë në historinë e shtetit të Kosovës. Është një mbështetje e fuqishme e Arabisë Saudite, mbështetje kjo që ka qenë edhe në kohën e luftës, duke u përkujdesur për qytetarët tanë të zhvendosur nga ana e Serbisë në Shqipëri dhe në Maqedoni.

Ishte një vizitë falënderuese, por në të njëjtën kohë edhe për të nisur një marrëdhënie të re ndërshtetërore mes shtetit të Kosovës dhe Arabisë Saudite. Një nga njohjet më të fuqishme për Kosovën është njohja nga Arabia Saudite.

Gjithashtu bisedova me mbretin Abdullah për mundësitë e komunikimit dhe të bashkëpunimit në mes Prishtinës dhe Riadit, qoftë në aspektin diplomatik, ekonomik, turizmit, edukimit dhe të tjera.

Kemi një mbështetje të drejtpërdrejt edhe nga mbreti Abdullah për njohje të reja në veçanti nga Egjipti, Tunizi, Libia, Libani, gjithashtu edhe nga Jemeni, Sudani.

Në të njëjtën kohë vazhduam diskutimet edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme për bërjen e një komunikimi më të fuqishëm diplomatik mes dy shteteve.

Vazhduam edhe takim komunitetin e biznesit në Odën Ekonomike, këtu në Jedda, ku kishte një interesim të theksuar të një komuniteti shumë të fuqishëm të biznesit për të ardhur në Kosovë, për të shikuar mundësitë e investimeve, në veçanti në sektorin e infrastrukturës por edhe ata të agro-biznesit.

Ata janë të vetëdijshëm se Kosova është një shtet i ri, atraktiv me mundësi të jashtëzakonshme për investitorët gjithashtu edhe me garancion dhe me legjislacion të standardeve të njohura ndërkombëtarisht.

Pres ardhjen e këtij komuniteti shpejt në Kosovë, ashtu siç pres edhe mbretin Abdullah që të vizitojë Republikën e Kosovës.

– Po ashtu unë takova edhe  Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe diskutuam për të gjitha mundësitë e bashkëpunimit tonë të drejtpërdrejt.

Që të jesh pjesë e kësaj organizate, duhet të jesh fillimisht anëtar në OKB, prandaj ne shikuam edhe mundësi tjera që të jemi të pranishëm, në rolin e vëzhguesit apo në rolin e pjesëmarrjes në nivel të mysafirëve. Kjo varet nga vendet anëtare.

Është shumë me rëndësi që Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik i ka dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, që shprehu solidaritetin me popullin e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Sekretari i përgjithshëm i OBI-së e sheh zhvillimin në Kosovë si shumë pozitiv.

Diskutuam edhe konkretisht për disa shtete që mund të njohin pavarësinë e Kosovës në të ardhmen shumë të afërt.

Besoj se do të krijohen edhe kushtet dhe rrethanat që të realizohet pjesëmarrja e Kosovës në konferenca të tilla ndërkombëtare dhe kjo të përcillet me mbështetje financiare nga Banka Islamike, ku po ashtu patëm takim.

Biseduam për hapat konkret të bashkëpunimit, në veçanti në infrastrukturë, gjithashtu edhe në shëndetësi, por edhe në sektorë të tjerë.

Pas memorandumit të nënshkruar mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Islamike, besoj se do të kemi rezultate konkrete. 

Last modified: 17 Qershor, 2012

Comments are closed.

×