Zyra e Kryeministrit

Intervistë e kryeministrit Ramush Haradinaj në emisionin “Rubikon” të KTV-së

13 Shkurt, 2019

Prishtinë, 13 shkurt 2019

Në intervistën dhënë për emisionin “Rubikon” të KTV-së, kryeministri Ramush Haradinaj foli për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë lidhur me taksën e vendosur ndaj produkteve serbe, strategjinë për vazhdimin e dialogut, si dhe çështje të tjera aktuale.

I pyetur rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e taksës, kryeministri Haradinaj tha se do të donin që ta hiqnin taksën, mirëpo në ekuivalencë të pezullimit të saj, duhet ndodhur një marrëveshje për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

“Askush nuk e jep tregun falas, çdo treg, çdo e mirë e ka një kundërvlerë. Tregu i Kosovës për Serbinë është treg me vlerë. Në kundërvlerë, kërkojmë t’i prijmë një marrëveshjeje politike, marrëveshjes ekonomike, marrëveshjes për tregti të lirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ky është qëndrim i tij dhe i Qeverisë dhe kjo nuk është refuzim i kërkesës së Amerikës, por është mendim i tij si kryetar i Qeverisë, sepse përshpejtohet marrëveshja nëse taksa mbetet në fuqi.

Kryeministri Haradinaj tha se pezullimi i taksës në shkëmbim të një dialogu pa kufi cfarë është parë në të kaluarën, abuziv dhe pa garanca se çfarë do të ndodhë në fund të cilësdo periudhë kohore, është i dëmshëm për Kosovën.

Kryeministri më tutje, tha se dialogut i kanë dhënë shansë qe 20 vite, duke mbetur ende konflikt i ngrirë dhe gjatë kësaj kohe Serbia po i hapë kapitujt dhe po vazhdon anëtarësimin drejt BE-së, ndërkaq Kosova ka mbetur e izoluar.

I pyetur rreth sanksioneve që Amerika po i vendos për Kosovën, konkretisht, anulimi i vizitës së Admiralit, që ishte planifikuar për 11 vjetorin e Pavarësisë, Gjeneralit Orr, shkurtimi i ndihmave për Ushtrinë e Kosovës, mjetet ushtarake, kryeministri Haradinaj tha se dënimi do të ishte mirë të ishte për të dyja palët, jo vetëm për Kosovën.

“Nëse Kosova ka ndërmarrë veprim të njëanshëm, ne nuk shohim si është dënuar Serbia për pengimin që na është bërë në Interpol, për dëmet në planin e jashtëm, tërheqjen e njohjeve dhe se si është dënuar Serbia për pengesat që ia bënë Kosovës edhe drejt integrimit në BE”, tha kryeministri Haradinaj.

Edhe për shumë çështje të tjera, kryeministri Haradinaj foli në emisionin “Rubikon”, i cili, i plotë, mund të ndiqet në videon e bashkëngjitur.

Last modified: 13 Shkurt, 2019

Comments are closed.

×