Zyra e Kryeministrit

Intervistë e kryeministrit Haradinaj për portalin Periskopi

22 Nëntor, 2018

Prishtinë, 22 nëntor 2018

Në intervistën për portalin Periskopi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, foli për vendimin e marrë nga Qeveria për vendosjen e taksës për mallrat serbe.

Kryeministri Haradinaj tha se ky është reflektim ndaj agresivitetit të Serbisë dhe mosrespektimit të CEFTA-s, por edhe veprimeve tjera që janë kundër subjektivitetit shtetëror të Kosovës në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, është marrë masa prej 10 për qind me shpresë së kjo porosi do të kuptohet drejt dhe Serbia do të kursehet nga agresiviteti ndaj Kosovës dhe duke parë se ajo nuk e mori porosinë, u kalua në masën që është bërë jo nga dëshira apo nga ndonjë agjendë e caktuar.

“Ky nuk është një veprim marrë nga dëshira, por është një masë mbrojtëse, ën përputhje me CEFTA-n, neni 18 dhe njëkohësisht kjo është një masë legjitime e një qeverie dhe vendi sovran”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se u ka dërguar një letër ambasadorëve për t’i informuar me fakte dhe argumente, duke i listuar ato dhe faktin se si ka ardhur deri te ajo masë dhe se kjo është bërë nga respekti që Qeveria ka ndaj vendeve aleate.

I pyetur se a do të hiqet masa e caktuar edhe nëse bashkësia ndërkombëtare bënë presion, kryeministri Haradinaj tha se masa do të hiqet atëherë kur Serbia do të na njohë pavarësinë e Kosovës dhe jo nga presionet.

“Veprimet që ka marrë pala e Kosovës janë në mbrojtje të vetvetes, të sigurisë së vet kombëtare, subjektivitetit dhe të interesave ligjore të bazuara në konventa dhe marrëveshje paraprake”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ekuivalenca e tij duhet të jetë njohja reciproke.

Për mosanëtarësimin në Interpol të Republikës së Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se është zhgënjim i thellë për të gjithë dhe se të gjithë jemi për kritikë, por edhe ka qenë një situatë specifike gjeopolitike.

Për shumë tema të tjera, intervista e plotë mund të ndiqet në videon e bashkëngjitur.

Last modified: 22 Nëntor, 2018

Comments are closed.

×