Zyra e Kryeministrit

Intervistë e kryeministrit Haradinaj për gazetën online Blic

14 Dhjetor, 2018

Prishtinë, 14 dhjetor 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për gazetën online Blic, e cila u transmetua në televizionin Klan Kosova, foli për zhvillimet politike në vend, në veçanti për transformimin e FSK-së në ushtri.

Gazeta online Blic ka filluar që në mëngjesin e së premtes, datë 14 dhjetor 2018, që të përcjell aktivitetet e kryeministrit Haradinaj.

Duke u nisur nga shtëpia për në punë, kryeministri Haradinaj dha mesazhin se populli ynë ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë dhe të vështirë, po kthehet në rresh të popujve të lirë dhe ushtrive të paqes.

Gjatë ditës, në Zyrën e Kryeministrit, gazeta Blic vazhdoi intervistën me kryeministrin Hardinaj dhe kësaj here, në pyetjen se a është gjithçka gati për votimin në Kuvendin e Kosovës të tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e FSK-së në ushtri, kryeministri tha se është procedurë e rregullt.

“Është një arritje logjike kohore koincidon edhe me rënien e një komandanti të shquar të UÇK-së, Mujë Krasniqi, por edhe arritje kohore. Ne sot mandatojmë ushtrinë e Kosovës. Ushtria jonë e ka emrin Forca e Sigurisë së Kosovës dhe është as më pak e as më shumë se ushtri si secili vend i botës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se doktrina e ushtrisë sonë është që ajo vjen në paqe, por ushtria jonë ka mandat ta mbrojë Kosovën, e cila kurrë nuk do ta ndërtonte doktrinën e vet mbrojtëse, duke e drejtuar ushtrinë e vet kundër popullit të vet.

“Serbia duhet të gëzohet sot. Ushtrive të Ballkanit iu shtua edhe një ushtri, e cila ka munguar, ushtria e Kosovës. Ne në të ardhmen do të shërbejmë krah për krah, në partneritet për paqe edhe me ushtarët serbë. Pra, ushtari i Serbisë dhe ushtari i Kosovës e ai i Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë, janë edhe aleatë, nuk janë armiq”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ushtria e Kosovës nuk vjen për ta ndryshuar Ballkanin për të keq, por ta nis Ballkanin për të mirë si ushtri e paqes.

Pas votimit në Kuvend të Kosovës të projektligjeve, kryeministri Haradinaj mori pjesë në akademinë përkujtimore për Heroin Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij, ku tha se çdo ditë e kalendarit tonë ka një simbolikë, edhe kjo e sotmja shënon rënien e luftëtarëve shumë të shquar.

“Jam thell i bindur, sikurse Muja, por edhe gjithë luftëtarët tjerë të të gjitha kohërave, të të gjitha përkatësive të kombit tonë, sot janë krenarë për këtë ditë”, tha kryeministri Haradinaj, për të vazhduar më pas shkuarjen në ceremoninë që zhvillohet për nder të transformimit të FSK-së në ushtri.

Për të dëgjuar intervistën e plotë, mund të ndiqni videon e bashkëngjitur.

Last modified: 14 Dhjetor, 2018

Comments are closed.

×