Zyra e Kryeministrit

Intervistë e Kryeministrit Haradinaj në Zërin e Amerikës

18 Dhjetor, 2018

Prishtinë, 18 dhjetor 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, foli për takimin në Bruksel më 17 dhjetor 2018, por edhe për shumë tema të tjera të zhvillimeve të fundit politike.

I pyetur se cilat ishin çështjet që quan në ‘përplasjet’ midis tij dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini, kryeministri Haradinaj tha se janë tri tema që shqetësojnë marrëdhëniet mes tyre, por dy janë më të ekspozuara, si mos përmbushja e kontratës nga BE-ja për liberalizim të vizave, edhe pse Kosova e ka përmbushur pjesën e vet të kontratës dhe mos marrja e përgjegjësive, nga komisioneri Hahn, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini, të cilët e kanë lënë vetëm, që Kosova të vazhdojë të lobojë nëpër çdo qeveri; pastaj dialogu, nga një dialog për normalizim, është kthyer në një dialog për status, për territore, kufij, që s’ka logjikë dhe po ashtu është bilateralja Kosovë-Evropë.

Kryeministri Haradinaj tha se Evropa është disi e ngurtë në raport me Kosovën, duke e mbajtur në stadin e nisjes, por lejimin për të ecur përpara në procese të tjera.

Për çështjen e kufijve, kryeministri Haradinaj th ase është produkt i ri në dialog dhe znj. Mogherini e ka ditur që mandati i dialogut është dhënë për normalizim.

“Çështja e kufijve na kthen mbrapa, para 17 Shkurtit 2008. Është në kundërshtim me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është dalje nga parimet e dialogut”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se kushdo që e shpien Kosovën kah diskutimi ose hapja e çështjes së territorit tonë, është armik dhe s’ka si të jetë mik.

“Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi se ka për temë kufirin Kosovë-Serbi. Kufijtë i kemi dhe e ka për temë normalizimin”, tha kryeministri Haradinaj.

I pyetur rreth letërkëmbimeve me zyrtarët e lartë të BE-së, lidhur me heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe dhe duke kërkuar për këtë edhe një kompromis, kryeministri Haradinaj tha se i vetmi dakord që ata mund ta heqin taksën, është që të bien dakord për të gjitha temat, përfshi njohjen dhe njëra nga temat është tregtia e lirë dhe se janë të interesuar për tregti të lirë.

“Ndryshe thënë, situata do të shkojë kështu: çështja e taksës, që është vendosur prej Kosovës, është në ekuivalencë me njohjen nga Serbia”, tha kryeministri Haradinaj.

Edhe për shumë tema të tjera kryeministri Haradinaj foli në këtë intervistë, të cilën, të plotë, mund ta ndiqni në videon e bashkëngjitur.

Last modified: 18 Dhjetor, 2018

Comments are closed.

×