Zyra e Kryeministrit

Intervistë e kryeministrit Haradinaj në emisionin “Pressing” të televizionit T7

7 Shkurt, 2019

Prishtinë, 7 shkurt 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për emisionin “Pressing” të televizionit T7, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe.

I pyetur se nëse është bindur në darkën tek presidenti Thaçi, me kryeministrin e Shqipërisë, për të hequr taksën prej njëqind për qind, kryeministri Haradinaj tha se, ka pasur një iniciativë prej kryeministrit Edi Rama për një takim të përbashkët dhe se i është përgjigjur një takimi të atillë. Kryeministri tha se në atë darkë janë diskutuar temat si, taksa, dialogu, opsionet e zgjidhjes finale Kosovë-Serbi, por nuk ka pasur një ndryshim të qëndrimeve.

Kryeministri tha se e respekton mendimin e kryeministrit Edi Rama dhe se kërkesa për Kosovën s’mund të ketë askush, për shkak se Kosova e gëzon të drejtën e marrjes së vendimeve dhe se askush s’mund të bëjë kërkesë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kryeministri Rama tha se është mirë të pezullohet taksa”, tha kryeministri Haradinaj.

I pyetur se si e ka menduar pezullimin z.Rama, për një kohë të caktuar apo si, kryeministri Haradinaj tha se edhe kryeministri Rama, por edhe të tjerë që e favorizojnë pezullimin, i kanë argumentet e tyre, por nuk janë të qëndrueshme, nuk e arrijnë vlerën e respektimit si argumente të qëndrueshme.

“Dialogu është shfrytëzuar për tu dobësuar Kosova, që të hyjë Serbia në temat që nuk janë as për dialog dhe kësisoj ne kemi humbur momentumin dhe është mirë që të konsolidohet Kosova, që të dëshmojë që ka vetëbesimin, që i merr përgjegjësitë, jep llogari për ato që i bënë dhe unë kam kërkuar që taksa të qëndrojë deri në njohje”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova nuk duhet të pranojë kushtëzime në dialog.

Edhe për shumë tema të tjera, kryeministri Haradinaj i shtjelloi në këtë intervistë, e cila e plotë, mund të ndiqet në videon e bashkëngjitur.

Last modified: 7 Shkurt, 2019

Comments are closed.

×