Zyra e Kryeministrit

Intervistë e kryeministrit Haradinaj në emisionin “Interaktiv” në televizionin Kohavision

3 Dhjetor, 2018

Prishtinë, 30 nëntor 2018

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të Kohavisionit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, foli për zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë raportimin në komisionin hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq, taksën e vendosur për produktet serbe dhe atyre të Bosnjës, dorëheqjen e kryetarëve serbë, si dhe tema të tjera.

Kryeministri Haradinaj tha se para komisionit hetimor parlamentar, ka paraqitur një material të veprimeve të ndërmarra nga ana e tij, si dhe kronologjinë se si ka rrjedhur ngjarja, si dhe i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Lidhur me vendosjen e taksës për produktet serbe dhe atyre të Bosnjës, kryeministri Haradinaj tha se është një situatë e re në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe se kjo situatë vjen pas 10 viteve pavarësi të Kosovës. Kryeministri tha se mundësia që Kosova dhe Serbia të merren vesh në parametrat e deri para taksës, nuk ka dhënë efekt dhe mendon që taksa është një zhvillim i ri dhe kjo mund të zgjidhet me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, ku do të jetë, njohja, ulësja në OKB, por edhe tema të tjera, si, çështja e të zhdukurve, tregtia e lirë.

“Nuk besoj që taksa do të hiqet para njohjes së Kosovës nga Serbia”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, më tutje ka shtuar se nga kryetarët e dorëhequr të komunave veriore ka marrë shkresat e tyre, por që kanë dilemat se a kualifikohen këto shkresa si dorëheqje, për shkak të disa defekteve që ato kanë, por që do të trajtohen.

“Mendoj, se ata, duhet të interesohen për interesat e qytetarëve atje. Veprimi i taksës nuk është drejtuar kundër tyre. Është një temë Prishtinë-Beograd dhe jo Prishtinë-Mitrovicë e veriut apo Leposaviq dhe lus që ata të mos e trajtojnë këtë si Leposaviq-Prishtinë, sepse nuk ka të bëjë me këtë”, tha kryeministri Haradinaj.

Lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se shpreson se do të hyjnë në rend dite dhe se do të ishte mirë që vendimi të merrej këtë vit dhe të hyjë në fuqi në një etapë të caktuar, por të paktën këtë vit të merret, qoftë edhe preliminar dhe ky vendim do të ishte i mirë për Kosovën, Evropën dhe rajonin.

“Kosova nuk paraqet refugjatin, ne nuk shkojmë refugjat nëse merr vizat, por si partner në ekonomi, kulturë, sport, turizëm”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kushtet janë plotësuar, por i gjithë procesi ka shkuar shumë çuditshëm dhe që janë në fazën që nuk din kush më se çfarë thotë.

Edhe për shumë tema që ndërlidhen me zhvillimet e fundit në vend, mund të ndiqen në videon e bashkëngjitur të intervistës së kryeministrit Haradinaj.

Last modified: 3 Dhjetor, 2018

Comments are closed.

×