Zyra e Kryeministrit

Intervista e kryeministrit Haradinaj në emisionin “Argument Plus” në RTV 21

22 Shkurt, 2019

Prishtinë, 22 shkurt 2019

Në një intervistë për emisionin “Argument Plus” të radiotelevizionit 21, kryeministri Haradinaj foli për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake, procesin e dialogut me Serbinë.

I pyetur për presionin e bërë për heqjen e taksës nga bashkësia ndërkombëtare, ku nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini u tha edhe se nuk do të ketë tavolinë bisedimesh nëse taksa nuk hiqet, kryeministri Haradinaj tha se nëse dialogu është i rëndësishëm dhe ka interesa jetike për stabilitetin e rajonit, atëherë taksa nuk duhet të jetë pengesë. “Ne kemi kaluar mbi plot pengesa të tjera për të pasur dialog në të kaluarën. Pra nëse zonja Mogherini e ka me rëndësi dialogun, atëherë besoj se do të vazhdojë dialogu. Nëse dialogu nuk është i rëndësishëm, pra qenka më me rëndësi heqja e taksës, atëherë nënkupton se nuk është qëllimi te dialogu, por është qëllimi te një favor ndaj ekonomisë së Serbisë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kjo konfirmon të drejtën që të mbahet taksa.

Ndërkaq, për insistimin nga ana e ShBA-së për heqjen e taksës, kryeministri Haradinaj tha se, ShBA-ja është e njohur në botë si përkrahëse e pavarësisë së Kosovës, të sovranitetit të shtetit të saj dhe këtë e konfirmoi edhe presidenti Trump, qoftë në letrat dërguar presidentëve për dialogun, qoftë në ato për urimet për ditën e shtetësisë së Kosovës. “Aho që e hetojmë tani, është një qëllim i Amerikës për të siguruar një balancë në qasje, pro rajonit, pro një marrëveshjeje dhe në këtë rast edhe Kosova është në disa obligime”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ekziston një vakum në mes të pozicionit të Kosovës sot dhe finales së një marrëveshjeje me Serbinë dhe nëse Kosova nuk e mbron këtë vakum më qëndrimet e saj politike, Amerika e ka të pamundur në fund, ta mbulojë atë vakum.

Intervista e plotë të kryeministrit Haradinaj mund të ndiqet në videon e bashkëngjitur.

Last modified: 22 Shkurt, 2019

Comments are closed.

×