Zyra e Kryeministrit

Hapësirat e reja të punës do të ndikojnë edhe në rritjen e perfomancës dhe efikasitetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme

6 Maj, 2010

Prishtinë, 06 maj 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me komisionerin për zgjerim në Komisionin Evropian, Stefan Fyle dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka bërë inaugurimin e ndërtesës së re të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. Kjo ndërtesë është ndërtuar nga fondet e buxhetit të Kosovës dhe me asistencën e fondeve të Komisionit Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar ndërtesën e re të Ministrisë së Punëve të Brendshme si një  hapësirë që simbolizon rend, ligj dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në vendin ku është ndërtuar ky objekt i ri i standardeve të reja, i standardeve perëndimore, në të kaluarën ka ekzistuar objekti që ka simbolizuar shtypjen, diskriminimin dhe dhunën. Kjo ndërtesë e ndërtuar bashkërisht, me fondet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me asistencën gjeneroze të Komisionit Evropian, nënkupton kushte më të mira për funksionimin e ligjit dhe për zbatimin e ligjit”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

“Në këtë rast i nderuari komisioner Fulle, dëshirojë të ju shpreh falënderimin tim, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen tuaj. Ne jemi partner për integrim dhe synojmë që të forcojmë edhe më shumë raportet e bashkëpunimit tonë dhe do të vazhdojmë të implementojmë të gjitha kriteret demokratike, politike, ekonomike dhe legjislative, në rrugën tonë drejt integrimit” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në këtë rast.

Komisioneri për Zgjerim në Komisionin Evropian, Stefan Fyle ka theksuar se sundimi i ligjit është kusht themelor për stabilitet dhe prosperitet, është fundamental për integrim në Bashkimin Evropian, dhe është parakusht për mirëqenien e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Bashkimi Evropian ka interes jetik që të ketë partner të fortë në Kosovë në luftimin e krimit të organizuar. Kjo ndërtesë është një dëshmi e prekshme e mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, ka shtuar komisioneri Fyle.

“Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë ne” është shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ka vazhduar se “është nder dhe kënaqësi që po përurojmë një projekt të përbashkët në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Kushtet e punës, përkatësisht hapësirat për punë, padyshim se do të ndikojnë në përmirësimin e performancës si dhe në rritjen e efikasitetit të punës . “Në agjendën e Qeveris së Kosovës mbetet prioritet kyç plotësimi i kritereve teknike në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian”, ka thënë ministri Bajram Rexhepi. 

Last modified: 6 Maj, 2010

Comments are closed.

×